Një gjykatës në Kaliforni ka hedhur poshtë me vendim përfundimtar padinë e ngritur nga Rymir Satterthwaite, i cili pretendonte prej vitesh se ishte djali biologjik i reperit të famshëm Jay-Z.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve të Jay-Z për të mbyllur çështjen me paragjykim, çka do të thotë se Satterthwaite nuk mund ta rihapë më këtë padi dhe as të kërkojë test ADN-je kundër reperit.
Rymir, 30 vjeç, kishte ngritur çështjen përmes kujdestares së tij ligjore, Lillie Coley, duke pretenduar se nëna e tij e ndjerë, Wanda Satterthwaite, kishte pasur një lidhje me Jay-Z në vitet ’90, nga e cila kishte lindur ai.
Megjithatë, artisti me emrin e vërtetë Shawn Carter e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim.
“Akuzat e fabrikuara janë shqyrtuar dhe rrëzuar nga disa gjykata më parë,” thuhej në dokumentet e dorëzuara nga avokatët e Jay-Z, duke e cilësuar rastin si pjesë të një “fushate shumëvjeçare ngacmimi ligjor”.
Në korrik, Rymir publikoi një video në Instagram duke deklaruar se e kishte tërhequr vetë padinë, por se “lufta nuk kishte mbaruar”. Në maj 2023, ai kishte kërkuar me urdhër gjykate që Jay-Z të detyrohej të bënte një test ADN-je, por kërkesa u refuzua.
Jay-Z, 55 vjeç, është baba i Blue Ivy (13 vjeç) dhe binjakëve Rumi dhe Sir (8 vjeç) me bashkëshorten e tij, Beyoncé.