Një vit nga miratimi i ligjit për barazinë gjinore, Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar seancën e hapur për shqyrtimin e kërkesës së Koalicionit Pro Familjes dhe Forumit Mysliman Shqiptar për shfuqizimin e tij.
Nismëtarët argumentuan arsyet se përse, sipas tyre, ligji është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ligji nuk e përkufizon gjininë thjesht si seks biologjik, por përfshin dimensionin e saj shoqëror. Ligji ka problem me rendin juridik aktual kushtetues, pasi kemi një shpërndarje të spektrit shpjegues të gjinisë, gjë që e bën konfuz ligjin dhe të papërcaktuar. Pra, kemi të bëjmë me një përkatësi të shumëfishtë gjinore, që përmendet në ligj mbi 25 herë”, tha Pastori Akil Pano.
Trajtimi i kësaj çështjeje në kurrikulat shkollore ishte një tjetër shqetësim i ngritur gjatë seancës.
“Në një nga nenet, ligji imponon ndryshimin e kurrikulave shkollore. Shqetësimi që kemi si baballarë, nëna apo gjyshër, në rastin tim, është kujdesi ndaj identitetit të fëmijëve tanë. Kush do ta pranonte idenë që t’i thuhej një djali të vogël se ndoshta ka lindur në trupin e gabuar?”, shtoi Pano.
Në të kundërt, përfaqësuesit e qeverisë dhe të Kuvendit i qëndruan ligjit, duke e cilësuar atë në përputhje me Kushtetutën.
“Ligji për barazinë gjinore nuk ndryshon konceptin tradicional mbi gjininë dhe nuk synon të zëvendësojë kategorizimet mjekësore. Objekti i tij është krejt tjetër. Ai synon të kuptojë pse gratë dhe burrat, ndonëse formalisht të barabartë përpara ligjit, mund të mos kenë në praktikë të njëjtat mundësi”, tha përfaqësuesja e qeverisë.
Ligji për barazinë gjinore, i ndryshuar një vit më parë nga Kuvendi, u shoqërua me kundërshtime të forta nga shoqëria civile dhe komunitetet fetare. Nga ana tjetër, nisma u mbështet nga shoqatat LGBT.