Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji për biznesmenin nga Kosova Valon Lluka, ish-drejtor i kompanisë së Behgjet Pacollit Mabetex Holding dhe ish-administrator i shoqërisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Vendimi i Gjykatës erdhi dy ditë pasi Lluka u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “mashtrimin”, “shpërdorimin e pasurisë së huaj”, “keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike” dhe “lidhjen e kontratës së dëmshme”.
Lluka u bë i njohur si ish-bashkëpunëtor i biznesmenit Behgjet Pacolli, me të cilin u përfshi në një konflikt publik pas largimit nga drejtimi i kompanisë koncesionare të Aeroportit të Vlorës.
Pacolli e ka akuzuar Llukën se ka kryer transferta të paautorizuara parash. Ndër to përmendet një transaksion prej mbi 1.5 milionë eurosh në vitin 2026, si dhe një pagesë tjetër prej rreth 1.6 milionë eurosh në vitin 2025 drejt një kompanie në Abu Dhabi, për shërbime që sipas Pacollit nuk u kryen kurrë.
Një tjetër akuzë e bërë nga Pacolli për Llukën ishte keqpërdorimi i fondeve të Aeroportit të Vlorës. Gjatë kohës që Lluka ishte administrator i shoqërisë koncesionare të aeroportit, Pacolli pretendon se ai ka abuzuar me buxhetin e projektit duke devijuar shuma të mëdha parash për përfitime personale ose të dyshimta.
Pacolli ka deklaruar se për shkak të këtyre veprimeve, ndaj Llukës janë iniciuar raste ligjore dhe hetime jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.