Gjykata e Apelit rrëzon gjobën 500 milionë dollarëshe ndaj Trump

Një gjykatë e Apelit rrëzoi gjobën prej 500 milionë dollarësh që Presidenti Donald Trump ishte urdhëruar të paguante vitin e kaluar në një gjyq civil për mashtrim në New York.

Në shkurt 2024, gjykatësi Arthur Engoron kishte vendosur që Trump të paguante shumën duke e akuzuar për krijimin e një skeme mashtrimi nëpërmjet deklaratave financiare që fryjnë artificialisht vlerën e pasurisë së pronave të Organizatës së Trump, me qëllim sigurimin e kredive të favorshme.

Në vendimin e gjatë të publikuar të enjten (21 gusht) , gjyqtarët e Divizionit të Apelit të Gjykatës Supreme të New York-ut thanë se, megjithëse Trump ishte përgjegjës për mashtrimin, gjoba prej afro gjysmë miliard dollarësh ishte e tepruar dhe mund të shkelte mbrojtjen Kushtetuese kundër dënimeve të ashpra.

Gjoba që gjykatësi Engoron kishte vendosur vitin e kaluar – kur Trump ishte kandidati kryesor republikan për president – ishte 355 milionë dollarësh, por me interesat ajo ishte rritur mbi 500 milionë dollarë.

“Megjithëse dëmi padyshim ka ndodhur, ai nuk ishte dëm katastrofik që mund të justifikojë një gjobë prej afro gjysmë miliard dollarësh” shkroi gjykatësi Peter Moulton.

Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump e quajti vendimin “një fitore totale”.

“Respektoj shumë faktin që Gjykata pati guximin të rrëzonte këtë vendim të paligjshëm dhe të turpshëm, që po dëmtonte biznesin në të gjithë shtetin e New Yorkut,” shkroi ai. “Ishte një gjueti politike, si asnjëherë më parë.”

Edhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të New Yorkut, e cila kishte ngritur padinë kundër Trump, e konsideroi vendimin si fitore, pasi konfirmoi përgjegjësinë e Trump për mashtrim. Ata planifikojnë të apelojnë vendimin për gjobën në gjykatën më të lartë të shtetit, Court of Appeals.

Në një deklaratë, zyra e prokurorit tha se gjykatësit “konfirmuan gjetjen e gjykatës së shkallës së pare se: Donald Trump, kompania e tij dhe dy nga fëmijët e tij janë përgjegjës për mashtrim”.

Në shkurt 2024 Gjyqtari Engoron urdhëroi që dy djemtë e tij më të mëdhenj, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, që janë zëvendës presidentë ekzekutivë të Organizatës Trump, të paguajnë nga 4 milionë dollarë dhe iu ndalua të punojnë në kompanitë në New York për dy vite. Ish kryefinancieri Allen Weisselberg u urdhërua të paguajë 1 milion dollarë.

Vendimi prej 323 faqesh, që përfshinte tre opinionet e gjata, zbuloi mosmarrëveshje midis pesë gjykatësve të panelit. Ata ishin kryesisht të ndarë mbi akuzat ndajt Trump dhe djemtë e tij për “mashtrim të vazhdueshëm dhe të përsëritur”.

Djali i Trump, Eric Trump, festoi vendimin në një postim në rrjetet sociale:

“Pas 5 vitesh ferri, drejtësia triumfoi!” shkroi ai.

Në shtator 2023, gjykatësi Engoron kishte vendosur se Trump ishte përgjegjës për mashtrim duke konstatuar se kishte falsifikuar pasurinë e tij me qindra miliona dollarë. Një gjyq tjetër u zhvillua në 2024 për të përcaktuar gjobën.

Trump kishte deklaruar se çështja e ngritur nga James, një demokrat, ishte e motivuar politikisht. /BBC

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top