Reperi Sean “Diddy” Combs do të dëgjojë vendimin përfundimtar të gjykatës më 3 tetor 2025, pasi gjyqtari Arun Subramanian ka miratuar këtë datë pas një marrëveshjeje mes avokatëve mbrojtës dhe prokurorisë federale.
Diddy u shpall fajtor javën e kaluar për dy akuza për transport për qëllime prostitucioni, pas një gjyqi që zgjati gati shtatë javë në Manhattan.
Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin seksual dhe komplotin kriminal (racketeering), që mund ta kishin dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas udhëzimeve federale për dënimet, secila nga akuzat për të cilat u shpall fajtor mund të sjellë deri në 10 vite burg, ose 20 vite në total.
Fjala e fundit i takon gjykatësit Subramanian, i cili do të udhëhiqet edhe nga raporti i hetimit para dënimit dhe nga deklaratat me shkrim të të dyja palëve, që do të dorëzohen në shtator.
Aktualisht, Combs ndodhet në paraburgim në Metropolitan Detention Center në Brooklyn dhe nuk ka marrë garanci, për shkak të rrezikut për arratisje dhe mundësisë së frikësimit të dëshmitarëve – veçanërisht pas dëshmive të ish-partneres së tij Cassie Ventura dhe disa personave të tjerë.
Ai ka kaluar gati 10 muaj në paraburgim, të cilat do të llogariten si pjesë e dënimit total.