Seanca e sotmë për çështjen “Gërdeci” është shtyrë për më datë 7 prill. Shkak e shtyrjes së swancës ka qenë mungesa e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai nuk mori pjesë në seancë pasi ka ftesë nga Kongresi Amerikan nga data 24 mars deri në datën 1 prill.
Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të jetë vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak. Avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.
Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Mediut dhe kërkoi të vazhdonte seanca në prani të avokatit po kjo u kundërshtua nga Ligori. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën duke i tërhequr vëmendjen Mediut, që mungesa të kësaj natyre nuk do të konsiderohen më në seancat e ardhshme.
Në seancë ishte e pranishme edhe Zamira Durda, e cila tha që ka 17 vjet që pret drejtësi dhe procesi po zvarritet. Durda humbi djalin e vogël në tragjedinë e Gërdeci dhe prej 17 vitesh vijon të kërkojë drejtësi dhe që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
Ish-ministri, Mediu po hetohet për çështjen ‘Gërdeci’, tragjedi e cila ndodhi në 15 mars të vitit 2008, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.