Gazetarja palestineze Taseem Amro thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të maksimalizojnë përpjekjet që populli palestinez të ndihet i sigurtë, pasi sipas saj deri më tani, nuk kanë ndërmarrë hapa seriozë për t’i dhënë fund vdekjeve masive në Gazë.
Duke folur nga Ramallahu, ajo thotë se jo vetëm ky qytet, por i gjithë Bregu Perëndimor është tërësisht i bllokuar, ndërsa po shtohet pasiguria për shkak të sulmeve nga kolonë ekstremistë. Ajo tha se Autoriteti Palestinez, i cili kontrollon Bregun Perëndimor ka patur një rol të kufizuar në konfliktin e fundit, pasi u gjend i papërgatitur për një situatë të tillë,
Zëri i Amerikës: Ju ndodheni në Ramallah. A mund të na thoni si është akutalisht situata në Bregun Perëndimor?
Taseem Amro: Ramallahu dhe Bregu Perëndimor në përgjithësi është tërësisht i mbyllur. Qytetarët palestinezë janë të bllokuar. Ne nuk mund të shkojmë të vizitojmë familjarët tanë, të cilët, janë vetëm 30 minuta larg shtëpisë sonë. Është shumë e ndërlikuar dhe e vështirë që të lëvizësh në rrugë. Akset tona kryesore rrugore janë të lidhura me rrugët që të çojnë në vendbanimet e kolonëve dhe mund të na kërcënohej jeta nëse kalonim nëpër ato rrugë.
Zëri i Amerikës: Si po e shohin palestinezët aty, situatën në Gazë?
Taseem Amro: Situata në Gazë është shumë e rëndë. Është shumë dramatike. Miq dhe familjarë tanë në Gazë po përjetojnë një situatë të vështirë. Numri i viktimave po rritet ditë pas dite, orë pas ore. Ata po përballen me rrezik për jetën e tyre.
Zëri i Amerikës: Në mendimin tuaja cila është zgjidhja për konflikin mes Izraelit dhe Hamasit se çfarë roli mund të luajnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në këtë drejtim?
Taseem Amro: Kjo është pyetja më e vështirë. Cila është zgjidhja? Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje. Ky është një konflikt që ka nisur që në vitin 1948. Kemi tentuar të gjitha zgjidhjet që mund të çonin në vendosjen e paqes, marrëveshjet, bisedimet, por siç po e shihni ndikimi i situatës tek palestinezët është shumë i rëndë. Çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian që ky vend të jetë më i sigurtë? Duhet të pyesni ata. Ata duhet të maksimalizojnë përpjekjet për të ndihmuar popullin palestinez, që ata të gëzojnë lirinë, dinjitetin e tyre. Në këtë kuptim, ata duhet të bëjnë shumë përpjekje që një gjë e tillë të bëhet e mundur për palestinezët.
Zëri i Amerikës: A kanë autoritetet palestineze një plan për situatën pas mbarimit të konfliktit dhe a mendoni ju se Autoriteti Palestinez mund të ishte aktor në këtë drejtim?
Taseem Amro: Duke parë atë që po ndodh tani mendoj se do të përballemi me një situatë dramatike në shumë drejtime, në ekonomi, edukim, infrastrukturë. Besoj se duhet të dëgjojmë çfarë do të ndodhë tani dhe çfarë do të ndodhë më tej, sepse Bregu Perëndimor po ecën tani në rrugën e një të ardhmeje të panjohur, por po kuptojmë se kolonët ekstremistë dhe përpjekjet e kolonëve për të ardhur në fshtarat palestinezë, apo për të sulmuar zonat palestineze po bëhen pothuajse të përditshme. Pra ne nuk po kërkojmë të dimë se çfarë do të ndodhë pas konfliktit, ne jemi realisht të shqetësuar mbi jetesën tonë të përditshme, se çfarë mund të ndodhë, çfarë mund të behet me jetët tona. Pra është shumë herët që të flasim për të ardhmen në këtë situatë.
Zëri i Amerikës: A mund të na shpjegoni cili është aktualisht roli i Autoritetit Palestinez, ju jetoni në Bregun Perëndimor…
Taseem Amro: Nuk ka rol të madh, nuk kemi dëgjuar shumë për Autoritetin Palestinez deri më tani. Nuk është marrë ndonjë masë specifike, në drejtim të ekonomisë apo jetesës së përditshme.
Kemi dëgjuar njoftime për rritje të numrit të viktimave në Gazë apo mungesën e ndihmave humanitare në Gazë, këtë kemi dëgjuar këtu në Ramallah. Nuk ka patur ndonjë veprim tjetër serioz, ndoshta sepse nuk kishin menduar për të ndërmarrë një hap serioz në këtë situatë.
Zëri i Amerikës: Si ka ndikuar situata në Gazë në nivel personal.
Taseem Amro: Në nivel personal… Situata në Gazë ka nxitur shumë shqetësim tek unë si palestineze, vdekja e fëmijëve më ka prekur si nënë. Humba një nga miqtë e mi në Gazë, mikun tim Tarek dhe familjen e tij. 17 anëtarë të familjes, fëmijët e tij, prindërit, motra, vllezërit ishin në kamp dhe humbën jetën nga sulmet ajrore. Mësuam për vdekjen e tyre dy ditë pasi kishin humbur jetën, pasi siç e dini mjetet e komunikimit janë ndërprerë. Ishte një lajm shumë dëshpërues.
Marrë nga VOA