Më 7 tetor 2023, Yasser abu Shabab po vuante dënimin në një burg që drejtohej nga Hamasi në Gaza i akuzuar për trafik droge. Me shpërthimin e konfliktit, palestinezi nga Rafah arriti të lirohej nga burgu, megjithëse rrethanat e lirimit të tij mbeten të paqarta deri më sot.
Për një kohë, Abu Shabab u zhduk nga sytë. Kjo ndryshoi javën e kaluar kur zyrtarët e mbrojtjes izraelite pranuan se kishin filluar të armatosnin një klan që e quan veten “Shërbimi Antiterror”. Ai përbëhet nga rreth 100 burra të armatosur që veprojnë në Rafah lindore nën komandën e Abu Shabab, nofka e të cilit është “agjenti izraelit” dhe që përshkruhet si “tradhtar” në mediat sociale në territorin e Gazës.
Zyrtarët thanë se qëllimi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit ishte “zvogëlimi i viktimave ushtarake izraelite” teksa minonte sistematikisht Hamasin. Por kritikët kanë paralajmëruar se banda kriminale e mbështetur nga Izraeli mund ta shtyjë Gazën në prag të luftës civile.
Abu Shabab, 32 vjeç, është shfaqur si një figurë e fuqishme, duke ushtruar kontroll mbi rrugët e ndihmave pranë pikës së kalimit strategjikisht të rëndësishme Kerem Shalom. Anëtarët e grupit të tij akuzohen për plaçkitjen e kamionëve që transportonin ushqime dhe për lidhje me grupet xhihadiste.
Muajin e kaluar, Jonathan Whittall, kreu i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në territoret e pushtuara palestineze, u shpreh: “Vjedhja e ndihmës që nga fillimi i luftës është kryer nga bandat kriminale, nën mbikëqyrjen e forcave izraelite, dhe atyre u është lejuar të veprojnë në afërsi të pikës së kalimit Kerem Shalom në Gaza”. I pyetur nga “The Guardian”, Whittall tha se “po u referohej bandave si Abu Shabab”.
Në një intervistë me shkrim për “The Guardian”, Abu Shabab fajësoi Hamasin për luftën në Gaza dhe hodhi poshtë akuzat për plaçkitje dhe këmbënguli se klani i tij po ofronte siguri për kamionët e ndihmave që kalonin nga pika e kalimit Kerem Shalom në Gaza.
“Aktivitetet e mia janë humanitare dhe janë vetëm për popullin tim”, tha Abu Shabab. “Ne po ofrojmë siguri në zonat e kontrolluara nga forcat tona kombëtare dhe po u ofrojmë mbështetje qindra familjeve, me qindra njerëz që vërshojnë në zonat tona çdo ditë.”
Disa video që qarkullojnë në mediat sociale në Gaza nga profili i tij në Facebook, të verifikuara nga “The Guardian” tregojnë anëtarë të grupit të Abu Shabab duke vepruar së bashku me ushtarët izraelitë në zonat e kontrolluara nga IDF në Gazën jugore. I pyetur nëse grupi i tij po vepronte në koordinim me forcat izraelite, Abu Shabab tha: “Ne nuk punojmë drejtpërdrejt me ushtrinë izraelite.”
“The Times of Israel” citoi burime të mbrojtjes të cilat thanë se Izraeli u kishte siguruar anëtarëve të fraksionit të Abu Shabab pushkë kallashnikov si dhe disa armë të sekuestruara nga Hamasi. Që kur Izraeli lehtësoi bllokadën e ndihmave për Gazën, dhjetëra kamionë që transportonin ushqime kanë hyrë në territor çdo ditë, duke kaluar nëpër Kerem Shalom dhe duke lëvizur drejt Rafah, ku Abu Shabab ka ngritur një sërë pikash kontrolli.
Një zyrtar diplomatik i tha CNN se Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), organizata e re e mbështetur nga SHBA-të e ngarkuar nga Izraeli me shpërndarjen e furnizimeve në territor, kishte kontakt me Abu Shabab, “qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi”. I pyetur nëse kishte një bashkëpunim me GHF, i cili po shpërndan ushqim në tre vende në Rafah, Abu Shabab nuk pranoi të komentonte.
I kontaktuar nga The Guardian, një zëdhënës i GHF tha: “Ne ofrojmë sigurinë tonë dhe nuk kemi asnjë siguri lokale. Kamionët tanë nuk janë mbrojtur kurrë nga Abu Shabab apo dikush tjetër.”

Abu Shabab fajësoi Hamasin për plaçkitjen e kamionëve që transportonin ushqime në Gaza.
“Ne nuk marrim asgjë nga kamionët e ndihmave”, – tha Abu Shabab, i cili nuk iu përgjigj thirrjeve ose mesazheve, por kontaktoi përmes një adrese e-maili: “Ndihma vidhet në zonat e kontrolluara nga Hamasi”.
Megjithatë, në një intervistë në nëntor 2024 me New York Times, Abu Shabab pranoi se njerëzit e tij kishin bastisur gjysmë duzine kamionësh ndihme që nga fillimi i luftës. “Ne po vjedhim kamionë që të hamë, jo që të shesim”, i tha ai gazetës, duke thënë se po ushqente familjen e tij.
Që kur emri i Abu Shabab filloi të shfaqej në media, Hamasi ka deklaruar publikisht se ka ndërmend ta vrasë atë. Abu Shabab ka arsye për ta urryer Hamasin. Grupi militant vrau vëllain e tij vitin e kaluar dhe tashmë është përpjekur ta vrasë Abu Shabab të paktën dy herë. “Lufta nuk do të mbarojë për sa kohë që Hamasi këmbëngul në qëndrimin e tij”, – tha Abu Shabab.
Të mërkurën, kanali izraelit i lajmeve i24 raportoi se ushtarët izraelitë u përleshën me anëtarët e Hamasit për të mbrojtur Abu Shabab nga vrasja, gjë që rezultoi me viktima nga të dyja palët. Edhe pse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk e përmendi Abu Shabab, ai ka pranuar se ka “aktivizuar” klane në Gaza që ai thotë se kundërshtojnë Hamasin.
Komentet e Netanyahut shkaktuan një debat në Izrael, me udhëheqësit e opozitës që akuzuan qeverinë për transferimin e armëve te një grup banditësh dhe kriminelësh “që identifikohen me [Shtetin Islamik]”.
Lidhjet e Abu Shababit me forcat izraelite u konfirmuan nga familja e tij, e cila lëshoi një deklaratë javën e kaluar duke e mohuar zyrtarisht atë. “Ne nuk do ta pranojmë kthimin e Yasserit në familje. Ne nuk kemi kundërshtim që ata përreth tij ta eliminojnë menjëherë”, thanë ata.
Ngritja e Abu Shababit si bashkëpunëtori i parë palestinez i pranuar hapur me forcat izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza, sipas shumë analistëve, mund të ndezë një fazë të re të rrezikshme të konfliktit.
Përveç përplasjeve me Hamasin, klani i tij së shpejti mund të përballet me përballje të dhunshme me bandat rivale dhe anëtarët e komiteteve popullore të Gazës, raportojnë mediat izraelite.
Ata thonë se është lloji i mjedisit ku luftërat civile shpesh zënë rrënjë – dhe ku civilët, edhe një herë, ka të ngjarë të mbajnë koston më të rëndë.