Transmetuesi amerikan ABC njoftoi të enjten se kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate Kamala Harris do të debatojnë më 10 shtator.
Trumpi tha në një konferencë për media se ka propozuar tri debate presidenciale me tri rrjete televizive, duke shtuar se është pajtuar për data të caktuara në shtator.
“Dëgjova se Donald Trump më në fund është zotuar të debatojë me mua më 10 shtator. Pres me padurim”, shkroi të enjten në rrjetin X, nënpresidentja Harris.
Ish-presidenti Trump kishte sugjeruar më parë se ai mund të tërhiqej nga debati në rrjetin ABC, i cili ishte planifikuar përpara se Harris të zëvendësonte presidentin Joe Biden si kandidate presidenciale, më pak se tre javë më parë.
Konferenca e djeshme ishte paraqitja e parë publike e Trump që kur Harris zgjodhi të martën guvernatorin e Minesotës Tim Walz, si kandidat të saj për postin e nënpresidentit.
I pyetur të enjten se si e ka ndryshuar qasjen e tij përballë sfidës së re nga Harris, Trump këmbënguli se nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Në një seancë pyetje-përgjigjesh me gazetarët, që zgjati më shumë se një orë, Trump deklaroi se Harris dhe Walz janë kandidatë të dobët që tashmë po binin në anketa.
Fushata e Harris anuloi tubimet të enjten në Karolinën e Veriut dhe të premten në Xhorxhia, ku stuhia tropikale Debby po sjell shira të dendur dhe përmbytje të rrezikshme. Demokratët do të shkojnë në Arizona dhe Nevada më vonë këtë javë, duke vizituar dy shtete të tjera që mund të luajnë një rol thelbësor në zgjedhjet e 5 nëntorit. Fushata e Harrisit ende nuk e ka komentuar çështjen e debateve.
Kandidati republikan për postin e nënpresidentit, senatori JD Vance nga Ohajo, gjithashtu anuloi veprimtaritë e fushatës në Karolinën e Veriut të enjten për shkak të stuhisë.