Gjykata e Lartë ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në vijim të procedurës së nisur më 26 qershor 2026 për përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj.
Në garë janë shtatë kandidatë: Arbena Ahmeti dhe Sandër Simoni nga Gjykata e Lartë, Igerta Hysi nga GJKKO, Fatri Islamaj nga Gjykata e Apelit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe Matilda Llangozi, Brunilda Kadi dhe Manjola Xhaxho nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.
Ndërkohë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka caktuar datën 25 shtator 2026, ora 10:00, për zhvillimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të KLGJ-së.