Fundi i luftës në Gaza, si suksesi më i madh diplomatik i Donald Trump

Presidenti Trump ndodhet në prag të arritjes më të madhe diplomatike të mandatit të tij të dytë, ndalja e luftës brutale mes Izraelit dhe Hamasit dhe të mërkurën në mbrëmje ai e bëri të qartë se është i gatshëm të fluturojë drejt Lindjes së Mesme për të drejtuar ceremoninë e armëpushimit dhe për të mirëpritur pengjet që kanë kaluar dy vite të gjata në robëri nën tokë.

Për Trump, suksesi në këtë nismë është testi përfundimtar i qëllimit të tij për t’u vetëshpallur si “njeri i marrëveshjeve” dhe “paqebërës” dhe një rrugë e drejtpërdrejtë drejt Çmimit Nobel për Paqen, të cilin e ka dëshiruar haptazi. Rastësisht, fituesi për vitin 2025 do të shpallet vetëm disa orë përpara se ai të niset për turneun e tij të fitores në Egjipt dhe Izrael.

Por shumë gjëra mund të shkojnë keq në ditët në vijim dhe në Lindjen e Mesme shpesh ndodh kështu.

Marrëveshja e “paqes” që Trump shpalli në Truth Social të mërkurën në mbrëmje mund të rezultojë më shumë si një pauzë e përkohshme në një luftë që nisi me themelimin e Izraelit në vitin 1948, dhe që kurrë s’ka marrë fund.

Megjithatë, nëse Trump arrin ta mbajë këtë marrëveshje të qëndrueshme, nëse Hamasi dorëzon 20 pengjet e fundit të gjallë këtë fundjavë dhe me ta, edhe levën e vet të fundit negociuese, ky do të ishte një hap i jashtëzakonshëm drejt paqes që Trump, ashtu si edhe paraardhësi i tij Joseph R. Biden Jr., janë përpjekur ta arrijnë, pavarësisht devijimeve të shumta.

Dhe nëse Trump arrin ta bindë kryeministrin Benjamin Netanyahu të tërheqë trupat nga Gaza City dhe të heqë dorë nga plani për të marrë nën kontroll rrënojat e Gazës; nëse ndalon gjakderdhjen që ka vrarë 1.200 njerëz në Izrael dhe mbi 60.000 palestinezë, ai do të ketë bërë atë që shumë të tjerë përpara tij nuk arritën dot: të manovrojë një aleat të vështirë dhe tashmë të izoluar.

“Ky armëpushim dhe lirimi i pengjeve, nëse ndodh, u arrit vetëm falë gatishmërisë së Trump për të ushtruar presion ndaj kryeministrit Netanyahu,”- tha Aaron David Miller, nga Carnegie Endowment for International Peace, shpesh kritik i politikës së Trump në Lindjen e Mesme.

“Asnjë president, republikan apo demokrat, nuk ka qenë ndonjëherë kaq i ashpër ndaj një kryeministri izraelit për çështje kaq jetike për politikën dhe sigurinë e tij kombëtare.”

Trump e di se arritja e tij më e madhe ndërkombëtare gjatë mandatit të parë ishin Marrëveshjet e Abrahamit (Abraham Accords), që normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe e Bahreinit, shtetet e para arabe që e njohën Izraelin pas një çerekshekulli. Më pas iu bashkuan edhe Sudani dhe Maroku. Ishte pikërisht frika se Arabia Saudite, vendi ku ndodhen vendet më të shenjta të fesë islame, ishte gati të bashkohej me këto marrëveshje, ajo që e shtyu Hamasin drejt sulmit të tmerrshëm të 7 tetorit 2023.

Por në shumë mënyra, ndalimi i kësaj masakre, që shkatërroi udhëheqjen e Hamasit, 90 për qind të banesave në Gaza dhe rrënoi imazhin ndërkombëtar të Izraelit, është arritja më e madhe.

Reagimi i furishëm i Izraelit ndaj sulmit, më i rëndi ndaj hebrenjve që nga Holokausti, e la vendin në një pozitë të çuditshme: më të fuqishëm se kurrë, por edhe më të izoluar. Në javët e fundit, fushata ushtarake në Gaza bëri që shumë nga aleatët më të afërt të Izraelit të kërkonin krijimin e një shteti palestinez, edhe pse pa një plan konkret se ku do të ishte apo kush do ta drejtonte.

Në mbarë botën, shkatërrimi i Gazës, gatishmëria për të vrarë dhjetëra palestinezë për të eliminuar një udhëheqës të Hamasit, dhe retorika për dëbimin e palestinezëve, i shkaktuan dëme të mëdha morale dhe politike shtetit izraelit. Riparimi i tyre mund të zgjasë një brez ose më shumë.

Edhe pse lufta ende vazhdon dhe 48 pengje mbeten në robëri, 28 prej tyre besohet se janë të vdekur, Netanyahu ka qenë në kulmin e tij politik. Ai u ka thënë përkrahësve dhe kundërshtarëve se e ka mbajtur premtimin për të “zhdukur” udhëheqjen e Hamasit.

Ai ka përdorur pajisje shpërthyese të fshehta, si “pager” dhe radiot e dorës për të vrarë e plagosur drejtues të Hezbollahut, ka ndihmuar në dobësimin e regjimit të Asadit në Siri deri në kolaps, dhe ka eliminuar një brez shkencëtarësh bërthamorë e gjeneralësh iranianë në një luftë 12-ditëshe që përfundoi me një sulm amerikan mbi objektet kryesore bërthamore të Iranit.

Por Netanyahu e teproi dhe Trump, bashkë me këshilltarët e tij, panë mundësinë për ta frenuar.

Shkalla e shkatërrimit në Gaza tronditi opinionin ndërkombëtar. Vendimi i Netanyahut për të bombarduar negociatorët e Hamasit në Katar i habiti të gjithë në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, që vetë nuk kërkon kurrë falje, e detyroi Netanyahun të bënte pikërisht këtë, t’u kërkonte falje liderëve të Katarit, madje duke publikuar fotografi të telefonatës.

Në këtë mënyrë, ai arriti ta detyronte kryeministrin izraelit të pranonte një plan 20-hapësh, me shpresën që Hamasi do ta refuzonte.

Por për habinë e të gjithëve, Hamasi pranoi hapat e parë të planit. S’kishte shumë zgjedhje: shkatërrimi masiv dhe vuajtjet njerëzore kishin zbehur çdo mbështetje për të midis banorëve të mbetur në Gaza. Shtetet arabe dhe Turqia e detyruan në fund që të dorëzohej.

Tani Trump do të shpallë se ky kapitull i zi ka marrë fund dhe, me pak fat, mund të ketë të drejtë.

Nëse plani i paqes ecën përpara, Trump mund të ketë një pretendim po aq të ligjshëm për Çmimin Nobel sa katër presidentët amerikanë që e kanë fituar më parë, ndonëse me më pak bujë e vetëlavdërime.

(Atë e kanë fituar Theodore Roosevelt, Woodrow Wilson, Barack Obama dhe Jimmy Carter, ky i fundit, dekada pasi kishte lënë Shtëpinë e Bardhë.)

Gjithsesi nuk është ende e qartë nëse konflikti po merr vërtet fund.

Deklaratat e Trump dhe Netanyahut flasin vetëm për fazën e parë, shkëmbimin e pengjeve me të burgosur dhe tërheqjen e trupave izraelite në një vijë ende të papërcaktuar.

Arritja e fazës tjetër, ku Hamasi duhet të heqë dorë nga armët dhe, më e vështira, nga pretendimi për të qeverisur Gazën, mund të rezultojë shumë më e vështirë sesa kthimi i pengjeve në shtëpi.

Hamasi mund të tërhiqet nga hapat e ardhshëm, po ashtu edhe Netanyahu, i cili insiston se “puna s’do të përfundojë derisa të kapet çdo luftëtar i Hamasit që mori pjesë në sulmet e 7 tetorit.”

Secila nga këto mund të prishë armëpushimin e brishtë.

Është gjithashtu e paqartë se si do të krijohet një udhëheqje “teknokratike” e përkohshme në Gaza, apo si do të garantohet që ajo të jetë pa ndikim nga Hamasi.

Izraeli ka pak gjasa të largohet plotësisht për sa kohë që ekziston një kërcënim, madje edhe pasi Hamasi të jetë shuar.

Askush nuk di të thotë se ç’rol do të ketë Autoriteti Palestinez në këtë skenar.

Historia e rajonit tregon se ndërtimi i paqes në Lindjen e Mesme është si pastrimi pas një vullkani: dihet se shpërthimi do të ndodhë sërish, vetëm se askush nuk e di kur, dhe sa shkatërrues do të jetë herën tjetër./ NYTimes, David E. Sanger ka mbuluar pesë presidentë amerikanë dhe shkruan shpesh për konfliktin e superfuqive, temë e librit të tij të fundit.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top