FSHF tërheq mbështetjen për Infantinon, UEFA i qëndron bojkotit të Kupës së Botës

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar sot UEFA-n përmes letrës së presidentit Armand Duka, që tërheq mbështetjen për rizgjedhjen e Xhani Infantinos në krye të FIFA-s.

“Më 20 maj 2026, Federata Shqiptare e Futbollit dorëzoi letrën e saj të mbështetjes për kandidaturën e z. Gianni Infantino për një mandat të ri katërvjeçar si President i FIFA-s.

Pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm, dëshirojmë t’iu informojmë zyrtarisht se Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e saj për kandidaturën e z. Infantino.

Prandaj, ju lutemi ta pranoni këtë letër si njoftimin zyrtar se Federata Shqiptare e Futbollit revokon mbështetjen e saj të mëparshme për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s” – thuhet në letrën e publikuar nga FSHF dhe që mban firmën e Presidentit Duka.

“Sky Sport” ndërkohë ka publikuar një deklaratë të UEFA-s ku tregon se bojkotit për kompeticionet e FIFA-s, siç është Botërori, akoma qëndron. Pavarësisht se FIFA u tërhoq nga plani për të shitur kompeticionet, qëndrimi i Infantinos në krye bën që Shqipëria dhe 54 federatat e tjera të UEFA-s të jenë drejt vendimit për tërheqjen nga kompeticionet e FIFA-s. Botërori 2030 është kompeticioni më i përfolur, edhe pse qëndron 4 vite larg.

“Shoqatat anëtare të UEFA-s e bënë shumë të qartë se cilat ishin kushtet për të mos marrë pjesë në garat e FIFA-s.

Së pari, propozimet për shitjen e kompeticioneve kryesore duhej të tërhiqeshin, dhe së dyti, duhej të jepej garancia se përpjekje të tilla për ta deformuar futbollin në këtë mënyrë nuk do të bëheshin më kurrë.

Këto kushte nuk janë përmbushur. Për më tepër, UEFA e bëri plotësisht të qartë në deklaratën e saj të së shtunës se ka humbur besimin te presidenca e Xhani Infantinos. Ky qëndrim mbetet i pandryshuar.

Njoftimi i djeshëm, sipas të cilit disa persona të punësuar nga presidenti i FIFA-s (karriera e të cilëve varet nga mbështetja e tij) janë dakord me të, nuk ndryshon asgjë”, shprehet UEFA. /LAPSI.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top