Frankie Muniz: “Largimi nga Hollywood më shpëtoi”

Frankie Muniz ka folur së fundmi për vendimin drastik që mori vite më parë: të linte karrierën në Hollywood.

Aktori 39-vjeçar, i njohur për rolet në “Malcolm in the Middle” dhe “Agent Cody Banks”, tregoi për Us Weekly më 3 shtator se vitet e tij të para ishin tepër të lodhshme.

“Nga mosha 8 deri në 21 vjeç, besoj se pata ndoshta vetëm 60 ditë pushim,” – u shpreh ai, duke theksuar se kjo i la pasoja serioze.

Në vitin 2008, në kulmin e suksesit të tij, Muniz vendosi të largohej nga Los Anxhelosi dhe të niste një jetë të re në Arizona – një vendim që sipas tij “ia shpëtoi jetën.”

“Sinqerisht, nuk më pëlqente L.A. U shpërngula në Arizona dhe e dua. Ndihem sikur më shpëtoi jetën sepse nisa të shijoj gjërat e vogla, si shëtitjet apo blerjet, sepse çdo gjë ishte më e thjeshtë,” – tha ai.

Megjithëse ndonjëherë mendon se si do të kishte qenë karriera e tij nëse nuk do të ishte larguar nga aktrimi, Muniz beson se është pikërisht aty ku duhet.

“Jam me fat që bëra një hap prapa, sepse kjo më lejoi të vlerësoj gjithçka më shumë dhe të zbuloj më tepër rreth vetes,” – shtoi aktori.

Pas largimit nga skena, Muniz iu përkushtua pasionit të tij tjetër – garave me makina. Ai nisi garimin në vitin 2004 dhe tani është pilot zyrtar në NASCAR Craftsman Truck Series 2025, me ekipin Reaume Brothers Racing.

Në një intervistë të mëparshme për People, ai tregoi se rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë, pasi në vitin 2009 pësoi një aksident të rëndë që i theu shpinën dhe e detyroi të largohej nga pista për më shumë se një dekadë.

“Nuk mendoja kurrë se do arrija aty ku jam tani, sidomos pas aksidentit. Nuk garova nga 2009 deri më 2023. Tani jam kthyer dhe ndihem i lumtur,” – rrëfeu Frankie.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top