Florent Hasani, Këpuca e Artë e sapokurorëzuar e futbollit shqiptar, ka parë nga tribuna ndeshjen e fundit të Tiranës së tij, për më tepër të humbur, përballë Vllaznisë. Golashënuesi më i mirë i edicionit të kaluar me 16 gola dhe lideri aktual i renditjes së shënuesve në Superiore me 10 gola, ka firmosur me Rapid Bukuresht dhe nga janari do të luajë në kampionatin rumun.
Prapaskena e transferimit të kosovarit, në fakt, tregon se negociatat e bardhebluve me klubin rumun vazhdojnë ende, pavarësisht kontratës individuale me lojtarin. Rapid është akorduar për 2 sezone e gjysëm me 26 vjeçarin, ndërsa do t’i paguajë 300 mijë euro Tiranës. Shifra nuk është shumë e lartë, por e pranueshme për një lojtar që shkonte në skadencë kontrate me bardheblutë në fund të majit.
Tirana, megjithatë, nuk i ka përfunduar tratativat me Rapid, sepse bardheblutë duan të mbajnë 10% të kartonit të lojtarit, mënyrë që ka rezultuar shumë e suksesshme me Ernest Muçin dhe e aplikuar edhe te Redon Xhixha. Problemi është se rumunët nuk duan të kenë vetëm 90% të kartonit dhe insistojnë për të bërë blerjen përfundimtare pa lënë asgjë prapa. Drejtuesit kryeqytetas kërkojnë sidoqoftë t’a bindin Rapid, por nëse do të gjejnë përballë një mur, atëherë do të kërkojnë të shtohet shifra mbi 300 mijë eurot fillestare.