E përditshmja britanike “The Economist” i kushtoi një shkrim të gjatë asaj që po ndodh në Shqipëri me SPAK dhe njerëzit e rëndësishëm që kanë rënë “në rrjetën” e tij. Në shkrim thuhet se tashmë kryeministri Edi Rama “nuk është më aq entuziast sa dikur” për Prokurorinë e Posaçme.
“Gjithnjë e më shumë pjesëtarë të elitës shqiptare, përfshirë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, po kapen në rrjetën e saj. Edi Rama, kryeministri, nuk është më aq entuziast sa dikur, kur SPAK arrestonte vetëm kundërshtarët e tij.
Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpie Sali Berishën, ish-president dhe drejtuesin e partisë kryesore opozitare. Ai është në gjyq për korrupsion. Vitin e kaluar, u arrestua edhe Ilir Meta, një tjetër ish-president dhe tani lider opozitar.
Edhe ai është akuzuar për korrupsion. Ish-ministra të qeverive të zotit Rama janë gjithashtu arrestuar, dhe në shkurt erdhi radha e Erion Veliajt, kryetarit socialist të Bashkisë së Tiranës, i konsideruar si pasues i mundshëm i Ramës. Të tre mohojnë akuzat” – citon “The Economist”.
Shkrimi ndalet më gjerë tek arrestimi i Erion Veliajt dhe akzuat ndaj SPAK.
“Arrestimet e politikanëve janë më të diskutueshme. Z. Berisha thotë se z. Rama po e persekuton dhe e quan SPAK-un “kamxhiku i tij”. Por rritja e numrit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës të akuzuar për korrupsion ka dëmtuar imazhin e tij gjithashtu.
Kur u arrestua Veliaj, ishte radha e kryeministrit për të akuzuar SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo i solli kritika nga Bashkimi Evropian; një diplomat i një vendi anëtar e quajti këtë pretendim “budallallëk”. Rama e ndaloi shpejt sulmin” – thuhet ndër të tjera në shkrim.
“Sado që Rama mund të ketë dashur të mbështesë Veliaj, ai e kuptoi gjithashtu që sulmet ndaj SPAK-ut do t’i kushtonin politikisht. Një burim në sistemin gjyqësor thotë me ironi se “nëse klasa politike shqiptare do të ishte e kënaqur me punën e SPAK-ut, atëherë do të kishim një problem.”
Veliaj e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit. Si kryetar i bashkisë së Tiranës që nga viti 2015, ai ka ndihmuar ta transformojë atë nga një qytet i rrënuar në një kryeqytet tërheqës. Por SPAK thotë se Veliaj dhe gruaja e tij pastruan para nga ndërtues përmes një sistemi që përfshinte edhe donacione për OJF.
6 muaj pas arrestimit, Veliaj ndodhet ende në burg; ai u padit zyrtarisht vetëm më 23 korrik. Kjo është normale për Shqipërinë, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim, shumë më tepër se në pjesën tjetër të Evropës. Bashkë me Veliajn, është paditur edhe një deputete e Partisë Socialiste e akuzuar për ndërhyrje te dëshmitarët.
Më 15 korrik, SPAK paditi gjithashtu një ish-deputet socialist për ndarjen e informacionit policor me një bos krimi në këmbim të ndihmës në zgjedhje. Veliaj, gruaja e tij dhe të dy deputetët i mohojnë akuzat e SPAK-ut” – citon shkrimi.
“The Economist” ka kontaktuar edhe Arbër Veliajn, vëllain e kryebashkiakut që thotë se SPAK ka “dalë jashtë kontrollit” dhe se po e mban në burg për arsye të pabaza”.