Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri shënuan sërish rritje në tremujorin e tretë 2024. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj arritën vlerën e 275 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shuma e të ardhurave nga investimi përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Për të gjithë 9-mujorin 2024 ato arritën vlerën e 830 milionë eurove, në rritje me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar nivelin më të lartë historik për periudhën 9-mujore.
Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për 9-mujorin 2024 u rritën në 234 milionë euro, 68% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 596 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit lehtë me 2.4% krahasuar me një vit më parë.
Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, edhe bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.
Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri dhe rritje të fitimeve.
Megjithatë, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të lekut në kursin e këmbimit me euron. Për 9-mujorin 2024, kursi mesatar i këmbimit mes euros dhe lekut ishte 8% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.
Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.
Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin 2024, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 628 milionë euro, 8.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 54% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2024./ MONITOR