Në Bruksel ka nisur mbledhja e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian për Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një mekanizëm që rrit financimet për vendet e rajonit, si dhe hap rrugën në Tregun e Brendshëm të BE-së.
Nga Brukseli kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm me vepra dhe jo me fjalë sesa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor.
Sipas Ramës, kjo ndodhi vetëm pasi Putini goditi Ukrainën, ndërsa theksoi se që duhet pritur ndonjë agresion tjetër për ti dhënë përparësi Ballkanit Perëndimor.
“Duke thënë të gjitha këto dua të përmbyll se së fundmi po shohim që BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra jo vetëm me fjalë, për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor. Është e trishtë që të duhej Putini që të ndodhte kjo. Besoj se BE duhet ta ruajë këtë rritëm duke ecur përpara me hapa të guximshëm dhe mos presim për një goditje tjetër që të na kujtojë, dhe së pari të kujtojë njerëzit në Bruksel sesa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE. BE është shumë i rëndësishëm për ne, por të gjithë në BE duhet ta kuptojnë dhe të sigurohen që ky ndërgjegjësim të bëhet edhe praktik”, tha Rama.
Ndërkohë Presidenti i Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, Oliver Ropke tha se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të lihen më në sallën e pritjes.
“Konteksti gjeopolitik ka ndryshuar, zgjerimi ka arritur një moment kyç, sa i përket luftës në Ukraine, por ne me nismat tona kemi përfshirë të gjitha vendet kandidate, gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor përfshire edhe Malin e Zi dhe Shqipërinë. Sepse jam i mendimit se nuk mund ti lëmë më gjatë në sallën e Pritjes. Duhet të dëshmojmë se edhe pse anëtarësimi në BE bazohet sipas meritës, shumë gjera mund ti bëjmë më parë”, tha Ropke.