Financial Times ngre alarmin: Bota po shkon sërish drejt një krize të madhe ekonomike

Bota po hyn sërish në të njëjtën kurth që ka sjellë përplasje, proteksionizëm dhe kriza të mëdha financiare. Nga njëra anë janë vendet që kursejnë dhe eksportojnë shumë, si Kina, Gjermania apo Japonia, nga ana tjetër është SHBA, që vazhdon të blejë, të marrë borxh dhe të mbajë mbi shpinë çekuilibrimet e sistemit. Financial Times në një analizë sot, të cilën Lapsi.al e ka lexuar dhe po e përshtat në shqip, shkruan se kjo është skemë është e njohur dhe alarmante. Kur pabarazitë globale arrijnë këtë pikë, zakonisht nuk mbarojnë me qetësi. Fillimisht vjen zemërimi politik dhe populistët. Pastaj vjen kriza, pasojat e së cilës i ndjen çdo qytetar i globit. Dhe kësaj here, shpërthimi mund të nisë nga vetë Amerika.

“A nuk e kemi bërë edhe një herë këtë debat?” Kështu nis një nga esetë e një botimi të fundit të Centre for Economic Policy Research mbi “Pabarazitë e reja globale”. Dhe përgjigjja është po. Ky debat është bërë në vitet ’80, u rikthye në vitet 2000 dhe tani po rikthehet sërish në vitet 2020.

Rreth çdo 20 vjet, bota duket se përballet me të njëjtin problem. Disa vende kursejnë dhe eksportojnë shumë më tepër se sa konsumojnë, ndërsa disa të tjera, kryesisht SHBA, marrin hua dhe blejnë më shumë nga sa prodhojnë. Këto pabarazi nuk janë thjesht çështje tabelash ekonomike. Ato prodhojnë dy pasoja të rrezikshme, rritje të proteksionizmit dhe, herët a vonë, kriza financiare.

Kjo ka ndodhur më parë. Në vitet ’80, zemërimi ekonomik u drejtua ndaj Japonisë dhe pikërisht aty shpërtheu edhe një krizë e madhe. Në vitet 2000, me të ashtuquajturin “shoku i Kinës”, zemërimi u kthye ndaj Pekinit, ndërsa kriza financiare goditi Perëndimin. Në vitet 2020, proteksionizmi është tashmë këtu, sidomos në SHBA. Kriza e madhe financiare ende nuk ka ardhur. Të paktën jo akoma.

Pse po rikthehet ky rrezik?
Sot, si edhe dy dekada më parë, vendet me suficit të madh (vendet që shesin më shumë jashtë se sa importojnë) janë pothuajse të njëjtat, Kina, Gjermania dhe vende të tjera europiane, Japonia dhe eksportuesit e naftës. Ndërkohë, SHBA mbetet huamarrësi kryesor i botës.

Por ka edhe një ndryshim të rëndësishëm nga viti 2008. Atëherë, deficiti amerikan lidhej më shumë me borxhin e sektorit privat, me konsumatorët dhe sistemin financiar. Sot, pesha më e madhe bie mbi shtetin amerikan. Me fjalë të thjeshta, sot është qeveria amerikane ajo që po mban mbi shpinë pjesën më të madhe të këtij çekuilibri.

Dhe kjo i shqetëson ekonomistët. Sipas tyre, nëse vjen një krizë e re, ka shumë mundësi që ajo të nisë pikërisht nga SHBA. Arsyeja është se borxhi i jashtëm amerikan është shumë më i lartë se dikur, tregjet financiare janë të mbingarkuara, vlerësimet e aseteve janë të fryra dhe nervozizmi i investitorëve po rritet.

Kina, SHBA dhe logjika e pabarazisë
Një nga idetë kryesore të kësaj analize është se tregtia, financat dhe proteksionizmi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Financial Times merr si shembull Kinën. Ajo ka një nivel shumë të ulët të konsumit familjar krahasuar me madhësinë e ekonomisë së saj. Kjo do të thotë se kursen shumë. Kur një vend kursen kaq shumë, ato kursime duhet të shkojnë diku. Nëse nuk përthithen dot brenda ekonomisë vendase, atëherë eksportohen jashtë. Dhe mënyra më e drejtpërdrejtë për ta bërë këtë është duke pasur suficit tregtar (të eksportosh më shumë se sa importon).

Në rastin e Kinës, kjo do të thotë prodhim masiv industrial dhe eksport i madh mallrash. Pra, suficiti tregtar gjigant i Kinës nuk vjen vetëm sepse ajo është “më konkurruese”, por edhe sepse ka një çekuilibër të madh të brendshëm ekonomik. Në anën tjetër, nëse Kina kursen shumë, dikush tjetër duhet të shpenzojë shumë. Dhe ai “dikush tjetër” është zakonisht SHBA.

Me pak fjalë, suficiti i njërit është deficiti i tjetrit. Ose nëse një vend del me tepricë (fitim) nga tregtia, një vend tjetër del me mungesë (humbje).

Pse kjo është problem?
Sepse kjo lojë nuk mund të zgjasë pafund.

Ekziston një ligj i thjeshtë në ekonomi. Nëse diçka nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, në një moment do të ndalet. Problemi është si do të ndalet. Në mënyrë të kontrolluar apo me krizë?

Rreziku i parë është proteksionizmi. Një pjesë e asaj që po shohim sot në politikën amerikane, sidomos te Donald Trump, është reagim ndaj goditjes së dikurshme nga Kina. Tarifat, gjuha agresive dhe sulmet ndaj importeve janë pjesë e këtij refleksi. Në Europë, shqetësimi po rritet gjithashtu, sepse tani nuk është vetëm industria amerikane që ndjen presionin e Kinës, por edhe ajo europiane.

Rreziku i dytë është kriza financiare. Nëse SHBA vazhdon të marrë borxh pafund dhe vendet me suficit vazhdojnë të mbështeten te huamarrja e të tjerëve për të mbajtur ekonominë e tyre në këmbë, sistemi në një moment mund të këputet.

Tre iluzione që duhen hedhur poshtë
Financial Times argumenton se për të shmangur një krizë, politikanët duhet të heqin dorë nga disa ide të gabuara.

Iluzioni i parë është se deficiti tregtar amerikan mund të zgjidhet vetëm me tarifa ose me kurs këmbimi. Nuk mjafton kjo. SHBA duhet të rregullojë edhe problemet e veta të brendshme, sidomos deficitin shumë të lartë buxhetor.

Iluzioni i dytë është i kundërt: se fajin e ka gjithmonë huamarrësi. Pra, se mjafton që SHBA të shtrëngojë shpenzimet dhe gjithçka rregullohet. Kjo mund të ketë sens për vende të vogla. Por jo për ekonominë më të madhe të botës. Nëse Amerika ul fort shpenzimet, ndërsa Kina dhe Europa nuk rrisin kërkesën e tyre të brendshme, atëherë bota futet në ngadalësim ekonomik.

Iluzioni i tretë është mendësia merkantiliste, ideja se një vend bëhet i pasur duke mbajtur gjithmonë suficit. Kjo ka dy rreziqe: një ditë debitorët nuk paguajnë më, dhe për më tepër fillojnë të urrejnë vendet me suficit sepse i shohin si shkatërrues të industrisë së tyre. Pikërisht kjo ndjenjë po rritet sot ndaj Kinës, dhe në një masë më të vogël edhe brenda Europës.

Çfarë duhet bërë?
Në teori, zgjidhja është e qartë. SHBA duhet të ulë deficitin publik. Kina duhet të rrisë konsumin e brendshëm. Europa duhet të mbështetet më shumë te kërkesa e vet dhe më pak te eksportet. Pra, ekonomitë e mëdha duhet të balancohen nga brenda, në vend që t’ia hedhin peshën njëra-tjetrës.

Po ashtu, duhen korrigjime në politikat tregtare dhe industriale, në mënyrë që bota të mos shkojë drejt një lufte të re ekonomike.

Por problemi, sipas FT, është se shanset që kjo të ndodhë me zgjuarsi dhe në kohë janë pothuajse zero. Epoka e populizmit, nacionalizmit dhe vendimeve të pamenduara e bën shumë të vështirë veprimin racional dhe të koordinuar.

Prandaj përfundimi i analizës është i zymtë, por i qartë: nëse bota nuk është më në gjendje të parandalojë krizën, atëherë të paktën duhet të përgatitet për të.

Koha për ta bërë këtë është tani.

Financial Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top