Diskutimet nuk kanë fund rreth festës për 18-vjetorin e Lamine Yamal, një festë për të cilën dihet shumë pak, por që ka gjeneruar debat të madh për thashethemet që kanë dalë në pah. Të shtunën në mbrëmje ylli i Barcelonës ka mbledhur miq dhe shokë skuadre në një vilë pak larg qytetit dhe të gjithë kishin ndalim për të filmuar atë që po ndodhte dhe për të bërë fotografi. Shoqata ADEE, që merret me personat me akondroplazi dhe displazi të tjera skeletike me nanizëm, ka denoncuar se lojtari ka punësuar persona me nanizëm për argëtim.
Një situatë që ka shkaktuar një stuhi polemikash dhe për të cilën ka ndërhyrë edhe qeveria spanjolle: sipas asaj që ka shpjeguar për EFE Drejtori i përgjithshëm për aftësinë e kufizuar, Ministria e të drejtave sociale ka kërkuar nga Prokuroria, Avokati i Popullit dhe Zyra për luftën kundër krimeve të urrejtjes të hetojnë nëse ligji për aftësinë e kufizuar është shkelur me rastin e festës së ditëlindjes.
Çfarë ka ndodhur në festën e Lamine Yamal
Të ftuarit kanë zbuluar vendin e festës vetëm disa orë para fillimit dhe mbi festën kishte shumë fshehtësi, aq sa ishte e ndaluar përdorimi i celularëve. Protesta e ADEE-së megjithatë denoncon praninë e personave me nanizëm si argëtim: kjo do të shkelte ligjin që ndalon shfaqjet që denigrojnë personat me aftësi të kufizuara. Një rast mjaft i rëndë për të cilin qeveria do të hetojë, por ndërkohë Lamine Yamal është tashmë i denoncuar nga shoqata për shkeljen “jo vetëm të legjislacionit në fuqi, por edhe të vlerave themelore etike të një shoqërie që synon të jetë e barabartë dhe me respekt” siç raporton Marca.
Norma në fuqi ndalon çdo shfaqje apo aktivitet argëtues në të cilin marrin pjesë persona me aftësi të kufizuara të përdorur për të provokuar tallje apo përqeshje nga publiku. Një rrethanë që, nëse vërtetohet, mund të sjellë një gjobë të majme për lojtarin përveçse ta vendosë atë në qendër të një skandali jo të vogël.