Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Mijëra besimtarë u mblodhën mëngjesin e kësaj të premteje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit. Ceremonia nisi në orën 06:15.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim, i cili teksa uroi festën, theksoi edhe rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrin dhe ndihmës për ata që janë në nevojë. Kreu i KMSH vlerësoi se sot është një festë e dyfishtë, pasi festa përkon me një ditë të rëndësishme si ajo e xhumasë.
“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javes, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë. Ju urojmë gëzuar Kurban Bajramin, që të sjellë paqe mirësi e begati në familje dhe kudo anëmbanë botës”, u shpreh Spahiu duke uruar paqe, begati e mirësi.
Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”. Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para. Akti i Kurbanit konsiston në therjen e një kafshe si flijim për të shënuar këtë rast në përkujtim të flijimit të profetit Ibrahim për Zotin.