Evra rrëfehet: “Te United ishim kafshë, në WhatsApp ende kemi foton e Nani duke qarë”

Patrice Evra është si një libër anekdotash i hapur: sa herë që kthehet tek kujtimet, vërshojnë prapaskenat dhe të pathënat nga koha kur luante në klubet më të mëdha ku grumbulloi suksese dhe trofe. Si në kohët e Manchester United, një nga klubet ku ish-kampioni francez kaloi shumicën e viteve të tij, që përkonin me fillimin e një karriere të jashtëzakonshme. Atje mbretëronte një disiplinë pothuajse si në kazermë, ku mund të ndodhte gjithçka: “Ishim kafshë të pamëshirshme, edhe sot në grupin e WhatsApp kemi ende foton e portugezit Nani duke qarë”.

Evra dhe dhoma e zhveshjes te Manchester United nën “regjimin” e Ferguson

Historia futbollistike e Evra-s me Djajtë e Kuq zgjati plot 8 vite, nga 2006 deri në 2014, ku në Manchester u fitua gjithçka, në Angli dhe në Europë. Një skuadër e mbushur me kampionë të kalibrit të van Nistelrooy, Cristiano Ronaldo, Ferdinand, Scholes, Carrick, Giggs, Rooney, Tevez, të drejtuar nga i paepuri Alex Ferguson me mënyrat e tij të ashpra dhe ushtarake, për të cilat Evra ka folur edhe më herët duke treguar disa detaje të jetës në dhomën e zhveshjes gjatë atyre viteve. Aty ku Djajtë ishin vërtet “kafshë”, siç e ka përsëritur edhe një herë francezi, duke ndalur tek disa rrëfime të papublikuara më parë.

Evra e lotët e Nani në Anfield: “Nuk do ta besoni… po qante”

Një prej tyre ka të bëjë me Nani, një yll i ri portugez, vetëm 21 vjeç, i marrë nga Sporting Lisbona dhe i futur në një grup ku sundonin hierarkitë, rregulli dhe praktika e trajtimit të ashpër ndaj të rinjve: “Dua të kërkoj falje ndaj të gjithë atyre djemve që janë stërvitur me ne edhe vetëm një herë. Ishim kafshë, njerëz të këqij… të tmerrshëm, me një mentalitet të errët, që na ishte ngulitur nga Sir Alex”.

 

Kështu, kujtimi e çon në vitin 2011, kur në një nga përballjet epike kundër rivalëve të përjetshëm të Liverpool, në një ndeshje të Premier League në Anfield të fituar nga “Reds”, ndodhi një episod i rëndë. Jamie Carragher i dha një goditje të rëndë portugezit Nani duke i çarë kaviljen dhe duke e detyruar të shpërthente në lot: “Nuk do ta besoni, por po qante – na tha menjëherë Rooney i irrituar, ndërsa Scholes në fushë u kthye nga ana tjetër pa i shkuar në ndihmë”, kujton Evra. Në atë moment, në dhomën e zhveshjes-kazermë të United gjithçka u bë e papranueshme: “Edhe Ferguson e humbi durimin dhe i bërtiti diçka të tillë si: ‘Hej djalosh, shpresoj që ta kenë thyer këmbën… një lojtar i United nuk duhet të qajë kurrë në Anfield!’”

“Ishim gati ta vrisnim. Në grupin tonë të WhatsApp ende kemi foton e tij duke qarë”

Por ferri i portugezit Nani sapo kishte filluar, sepse ato lot në transmetim botëror dhe në “strofkën” e armikut ishin një fyerje e vërtetë për lojtarët e United: “Nuk mund ta besonim… Pas ndeshjes, pritëm të vinte dita tjetër, të gjithë të gatshëm ta ‘vrisnim’ atë për mënyrën se si u soll në fushë… Për të treguar sa të këqij ishim, nuk na interesonte asgjë dhe askush. Ishte në rrezik nderi ynë: nëse gjakosesh dhe qan, je i mbaruar, nuk bën më pjesë mes nesh. Ferguson e kuptoi gjithçka dhe i dha një javë pushim më shumë: e dinte se nëse Nani do të kthehej menjëherë në dhomën e zhveshjes, nuk do të dilte më prej saj. Edhe sot”, kujton Evra 15 vite pas episodit, “në grupin tonë të WhatsApp të United të asaj kohe, vazhdojmë të postojmë atë foto: Nani duke qarë në Anfield”.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top