Eurovisioni 2026 thyen rekord me shitje biletash

Biletat për Konkursin e Këngës në Eurovision, që këtë vit mbahet në Vjenë, janë shitur në kohë rekord, me pothuajse të gjitha 90 mijë biletat që u blenë brenda pak minutash, njoftuan organizatorët.

”Biletat për Finalen e Madhe u shitën për vetëm 14 minuta, ndërsa biletat për të gjitha shfaqjet e tjera u shitën brenda një ore”, bëri të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU).

Në total, gjatë javës së Eurovisionit zhvillohen nëntë shfaqje, përfshirë dy prova gjenerale përpara çdo transmetimi live.

”Çdo biletë e mbetur, për shembull nëse delegacionet kombëtare nuk i shfrytëzojnë të gjitha kuotat e tyre, do të hidhet sërish në shitje në një datë të mëvonshme”, tha EBU.

“Reagimi ka qenë fenomenal”, deklaroi drejtori i Eurovisionit, Martin Green, në një komunikatë.

“Të shohësh që çdo shfaqje shitet kaq shpejt është një kujtesë e fuqishme për atë që përfaqëson Konkursi i Këngës në Eurovision , gëzim, bashkim dhe përvojë të përbashkët, në një kohë kur këto vlera janë më të rëndësishme se kurrë”, shtoi ai.

Edicioni i 70-të i Eurovisionit në Vjenë është shoqëruar prej muajsh nga debatet mbi pjesëmarrjen e Izraelit, në sfondin e fushatës së tij ushtarake dyvjeçare në Rripin e Gazës.

Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë deklaruar se do ta bojkotojnë edicionin e këtij viti të spektaklit muzikor, në shenjë proteste.

Në total, në konkurs do të marrin pjesë 35 shtete. Të 15 këngët që do të konkurrojnë në secilin prej dy gjysmëfinaleve u konfirmuan dje.

Në gjysmëfinalen e parë, më 12 maj, Izraeli do të garojë për një vend në finale së bashku me këngë nga Greqia, Belgjika, Suedia dhe Kroacia, ndër të tjera.

Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe vendi pritës, Austria, kualifikohen automatikisht në finale më 16 maj dhe nuk kanë nevojë të garojnë në gjysmëfinale.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top