Erdhi ‘kampion’ e doli ‘bidon’, Partizani largon Grezdën: katër dështimet e mëdha kushtojnë 470 mijë euro

Partizani e Eros Grezda ndajnë tashmë rrugët. Goditja e madhe e merkatos së verës, që duhet të ishte lideri i një skuadre që kërkonte konfirmimin si kampion, doli dështimi i madh. U kuptua që në ndeshjet e Champions dhe Conference League: Grezda ishte jashtë forme dhe nuk mbante dot ritmin. Gjërat pastaj nuk është se u përmirësuan në kampionat, ku nga i nisur titullar, Grezda e pa veten të parakaluar nga të gjithë. Në total 17 ndeshje (2 në Champions e 6 në Conference e 9 në kampionat) për një total prej 589′ me vetëm një gol të shënuar.

E si Partizani ka mësuar tashmë në këto 5 vitet e fundit, dalja është me më klasiken e përcjelljeve: “Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me Eros Grezdën. Sulmuesi 28 vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes palëve. Partizani falënderon Eros Grezdën për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe me fanelën e kuqe” – shkruhet në komunikatën për shtyp të të kuqve.

 

Çështja nuk është sa lehtë përcillet lojtari me komunikatën për shtyp, por sa ka rënduar në arkat e klubit, që në raport me kontributin është katastrofik. Në 6 muaj (6500 euro në muaj) Grezda ka fituar 39 mijë euro. Më saktë 40 mijë, sepse në kontratën e tij ka qenë klauzola e 1 mijë euro për çdo gol. E ai i shënuar në Conference League e ka rritur edhe pak dhimbjen financiare të të kuqve.

DËSHTIME NË SERI…

Në fakt, u bënë disa sezone që lojtarët që mbërrijnë te Partizani për të bërë diferencën e bëjnë vetëm në pagesë. Në fushë rezultatet janë katastrofike, me prezenca të pakta e përfaqësime për tu harruar. I fundit ishte Grezda e para tij Ergys Kaçe. Edhe ish-mesfushori i kombëtares, që erdhi me super pagën e zakonshme, la për të dëshiruar në fushë. Ai që duhej të ishte fari ndricues i lojës së të kuqve u kthye vetëm në një barrë financiare që klubi nuk po dinte si ta hiqte qafe.

 

Pas 6 muajsh, në janar 2022, erdhi akordi me mirëkuptim nga të dy palët. Kaçe nuk do të ishte më lojtar i Partizanit, që me këtë lëvizje i lejoi vetes të kursente të paktën 60 mijë euro pagë të lojtarit që pagën e kishte për top player e përfaqësimet si më i zakonshmi i pankinës, madje as i denjë për të luajtur me fanellën e kryeqytetasve.

ARKAT PIKIATË

Sic duket te Partizani nuk kanë aspak nuhatje për të bërë goditjen diferencuese. Mjafton të kujtosh lëvizjet e mëdha të fundit që rezultuan po në dështime të mëdha. Edgar Çani erdhi me një kontratë prej 250 mijë euro në sezon dhe nuk luajti asnjë ndeshje me përjashtim të ndonjë fragmenti e një ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Pasi fitoi titullin me Gegën, të kuqtë vendosën ta riprovonin me Ferhan Hasanin, por Buba mori vetëm 120 mijë eurot e gjashtë muajve kontratë me pak minuta në fushë e asnjë gjurmë. Për fat një pjesë të kuqtë e kthyen mbrapsht falë shpërblimit të UEFA-s, për prezencën e shqiptaro-maqedonasit në Euro 2020 me Maqedoninë e Veriut.

Vetëm se llogaritë nuk dalin: katër lojtarët “e mëdhenj” nuk kanë mbledhur së bashku as një “kampionat” me prezenca, ndërsa janë paguar deri në largim me bukurinë e 470 mijë eurove.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top