Kreu i Grupit Parklamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka kujtuar se një vit më parë ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme dokumentacion që implikon Bleinda Ballukun në aferën me Tigri 1 dhe 3 në Vlorë.
Në një postim në rrjetet sociale Bardhi i ka bërë thirrje SPAK-ut: Ndiq paranë. Aty është përgjigjja pse Tigrat e Belindës prodhojnë energji deri 6 herë më të shtrenjtë se tregu.
Postimi i plotë:
Më shumë se një vit më parë kam dorëzuar në SPAK dokumentacion zyrtar që implikon drejtpërdrejt Belinda Ballukun në një nga aferat më të mëdha korruptive: anijet lundruese për prodhimin e energjisë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë.
Në dosjen e dërguar në SPAK kam argumentuar me prova se:
1. Vendi nuk ishte në kushtet e emergjencës. Kjo u konfirmua nga vetë Belinda Balluku, kur deklaroi se anijet do të prodhonin energji vetëm 2 vite pas kontratës.
2. Kushtet e tenderit u krijuan për të favorizuar fituesin dhe se ai ishte i paracaktuar, me një garë fiktive. Kompania kishte njoftuar autoritetet amerikane për marrjen e tenderit përpara shpalljes së fituesit.
3. Kompania nuk i zotëronte anijet as kur u shpall tenderi, as kur u shpall fituese.
4. Kostot ishin shumë të larta dhe 80 milionë euro për dy anijet nuk dihet ku shkojnë, pasi kompania është e regjistruar në një parajsë fiskale.
5. Energjia që do të prodhohej ishte shumë e shtrenjtë.
Nuk e di çfarë po bën SPAK me këtë dosje, që vjedh hapur shqiptarët dhe merr çdo ditë nga paratë publike rreth 100 mijë euro.
Një investigim i emisionit “Piranjat” ka sjellë së fundi të dhëna tronditëse: prodhimi i energjisë nga Tigrat është deri 6 herë më i shtrenjtë se tregu. Të dhënat tregojnë se energjia e prodhuar nga anijet lundruese ka një kosto prej 675 €/MËh, ndërsa çmimi i tregut është vetëm 111 €/MËh.
Diferenca është e jashtëzakonshme. Prandaj SPAK-ut i takon të zbulojë pse u firmos një kontratë e tillë që zhvat miliona euro nga shqiptarët.
“Ndiq paranë” është rruga më e mirë për të zbuluar korrupsionin. Kjo është harta e vërtetë që SPAK-u duhet të ndjekë për të shkuar tek burimi i kësaj historie.
Prandaj thirrja ime për SPAK-un është vetëm një:
Ndiq paranë. Aty është përgjigjja pse Tigrat e Belindës prodhojnë energji deri 6 herë më të shtrenjtë se tregu.