Aktorja fituese e dy çmimeve Oscar, Emma Stone, ka ndarë së fundmi disa kujtime nga koha e The Amazing Spider-Man, ku jo vetëm që luajti përkrah Andrew Garfield, por edhe filloi një lidhje katërvjeçare me të.
Në një intervistë për rubrikën “Life in Looks” të revistës Vogue, të publikuar më 14 gusht, Stone foli për rolin e saj si Gwen Stacy dhe për momentet e veçanta që përjetoi gjatë xhirimeve të filmit të dytë të sagës, The Amazing Spider-Man 2, në vitin 2014.
“E kam dashur shumë punën në Spider-Man. I dashurova të gjithë njerëzit me të cilët punova. Aty u takova me Andrew-n. Takova Sally Field dhe regjisorin Marc Webb, i cili ishte i mrekullueshëm. Ishte një kohë shumë e veçantë në jetën time,” tha aktorja.
Stone theksoi se njerëzit që e rrethonin gjatë projektit kishin ndikimin më të madh në përvojën e saj pozitive.
“Tema që përsëritet është gjithmonë – njerëzit. Më shumë sesa vetë filmi, janë njerëzit ata që më kanë lënë më së shumti mbresa. Kam vetëm kujtime të mira nga kjo përvojë,” shtoi ajo.
E vetmja anë e lodhshme për aktoren ishin turnetë e shpeshtë të promovimit.
“Nuk e di si e bëjnë njerëzit. Më kujtohet që vizituam rreth nëntë shtete për dy javë. Ndihesha sikur po përjetoja një nivel të lodhjes që nuk e kisha njohur kurrë më parë. Ishte një ndjesi e çuditshme, ndihesha si e çmendur gjithë kohës,” u shpreh Emma.
Nga ana tjetër, edhe Andrew Garfield ka folur gjithmonë me dashamirësi për të.
Në një intervistë për Variety në vitin 2021, ai e quajti përvojën e Spider-Man si “të bukur”, sepse jo vetëm që pati mundësi të luante një rol të rëndësishëm, por edhe “u njoh dhe punoi me Emma-n.”
Sa i përket rikthimit të mundshëm të Garfield në rolin e Spider-Man, pas paraqitjes së bujshme në Spider-Man: No Way Home (2021), ai la gjithçka të hapur:
“Do të duhej një ide e shkëlqyer, diçka befasuese, e çuditshme, zbavitëse. Diçka që ia vlen,” u shpreh ai për PEOPLE në tetor të vitit 2024.