Pasi u sigurua kualifikimi në Champions, Zonja e Vjetër duhet rindërtuar duke nisur nga Antonio Conte e Giorgio Chiellini. Jo vetëm nga pikëpamja futbollistike, sepse do të nevojitet një revolucion, përveç pankinës, edhe për formacionin bardhezi nëse vërtet synohet titulli, por para së gjithash nga ana shoqërore, sepse një klub i fortë shihet nga themelet, dhe Juventus nën drejtimin e John Elkann, gjithnjë e më i pranishëm në vendimet që kanë rëndësi, përveç injeksioneve të kapitalit, dëshiron t’i japë vetes një strukturë të fortë si në kohët e nëntë titujve radhazi.
Kështu, në pritje që Antonio Conte të zgjidhë rezervat dhe t’i thotë sërish “po” Zonjës së tij të dashur, organigrama drejtuese – që kishte pësuar një dobësim të theksuar në vitin 2022, pas riorganizimit të bërë të nevojshëm nga dorëheqja e presidentit të mëparshëm Andrea Agnelli dhe e Këshillit të Administrimit si pasojë e hetimit gjyqësor të Prokurorisë së Torinos – mund të zgjerohet sërish për të rritur kompetencat dhe për të diversifikuar rolet.
Figura kyçe do të jetë Giorgio Chiellini, ish-simbol dhe tani drejtues, i cili për një vit ka punuar ngushtësisht me administratorin e deleguar Maurizio Scanavino si përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe institucionale të klubit, duke hyrë gjithnjë e më shumë në dinamikat dhe mekanizmat bardhezi. Atij mund t’i bashkohen një administrator i deleguar (Damien Comolli) dhe një drejtor sportiv (Matteo Tognozzi), me pozicionin e Cristiano Giuntoli nën vëzhgim.
Pushteti te Chiellini
Chiellini ende duhet të rritet dhe të mësojë, për të parashikohet një hyrje në Këshillin e ri të Administrimit dhe një e ardhme si president; ndërkohë ai po punon me Elkann për riorganizimin shoqëror, duke shërbyer si urë lidhëse mes zonës sportive dhe asaj menaxheriale. Pronësia do të donte t’i afronte atij një administrator të deleguar “alla Marotta”, pra me kompetenca specifikisht futbollistike, francezin Comolli, aktualisht president i Toulouse.
Elkann dhe Comolli njihen në rrugë të tjera (jo futbollistike) dhe tashmë kanë biseduar mes tyre; me përfshirjen e tij do të rikrijohej një dualizëm tashmë i parë në kohën e Agnellit, kur Marotta ishte ad i zonës sportive dhe Aldo Mazzia CEO i asaj financiare. Scanavino është përfaqësimi i Elkann brenda Juventusit, vendosur në shoqëri nga John për të ekuilibruar financat (qëllim i arritur me bilancin gjashtëmujor me fitim), por nuk është njeri i fushës siç do të ishte Comolli, që ka kaluar të gjitha etapat, nga lojtar në vëzhgues deri në drejtor sportiv dhe president.
Kush është Tognozzi, drejtori sportiv që mund të rikthehet te Juve
Për të kompletuar strukturën mund të ketë një rikthim: ai i Matteo Tognozzi, ish-drejtor sportiv i Granada pas 6 sezonesh të kaluara te Juventus. Tognozzi ka qenë vëzhgues për sektorët e të rinjve në kohën e Fabio Paratici dhe më pas u bë shef i scouting nën drejtimin pasardhës të Federico Cherubini. Ndër goditjet e tij në merkato kujtohen ish-bardhezinjtë Dean Huijsen dhe Matias Soulé, përveç numrit dhjetë aktual, Kenan Yildiz.
Juve, Giuntoli në rrezik?
Djalë “arti” (i ati i tij Stefano, edhe ai vëzhgues, ka qenë njeri i besuar i Luciano Spalletti), Matteo sipas planeve të pronësisë duhet të kthehet për të punuar ngushtë me Giuntoli, pozicioni i të cilit mbetet i pasigurt pavarësisht arritjes në çastet e fundit të vendit të katërt. Gjithçka do të varet nga Elkann, që po reflekton për të. Veprimtaria e drejtorit teknik nuk konsiderohet plotësisht e kënaqshme nga drejtuesit e klubit: ulja e masës së pagave dhe shkurtimi i kostove kanë lejuar arritjen e objektivit ekonomik, por i vënë sërish në diskutim nga shkarkimi i Thiago Motta, që detyroi pronësinë të ndërhynte menjëherë me 15 milionë euro për të mos prekur kapitalin aksionar.
Nuk përjashtohet megjithatë që Giuntoli të qëndrojë, edhe sepse ka një kontratë të gjatë (deri në 2028) dhe të kushtueshme (2 milionë në sezon). Ai mund të mbetet brenda një strukture më të gjerë dhe më të artikuluar që do t’i lejonte të fokusohej sidomos në merkato.
Revolucion pas 5 sezonesh pa trofe
Juventusi i ri po lind nga dora e Elkann, i cili pas 5 sezonesh pa titull dëshiron të kthehet protagonist, me mbikëqyrjen e ish-kapitenit Chiellini. Një strukturë që i ngjan gjithnjë e më shumë asaj të krijuar nga Agnelli në vitet e arta të dhjetëvjeçarit të dytë të mijëvjeçarit të ri, kur Zonja sundonte në Itali dhe ishte mes klubeve më të mëdha të Evropës. Në atë shoqëri ishin, përveç dy administratorëve të deleguar që ndanin kompetencat sportive (Marotta) dhe financiare (Mazzia), Paratici që bënte drejtorin sportiv, Cherubini që ishte krahu i tij i djathtë, Nedved me rolin e zv/presidentit dhe një rrjet i dendur bashkëpunëtorësh, vëzhguesish dhe njerëzish të sektorit të të rinjve. Për t’u bërë sërish të mëdhenj duhet riorganizim në të gjitha nivelet. Në Torino kanë nisur punimet për rindërtim, duke pritur në pankinë teknikun Antonio Conte.