Eleke i jep debutimin fitues Gegës: Partizani thyen Laçin, falë gabimit të Lleshit

Partizani i është rikthyer fitoreve në Superiore, duke mposhtur Laçin 1-0 në “Arenën e Demave”, në një ndeshje ku Eleke ishte protagonisti kryesor. Ky sukses erdhi në debutimin e Skënder Gegës në stolin e të kuqve, i cili rikthehet te Partizani me tre pikë të rëndësishme në luftën për një vend në Europë. “Unë kam vetëm dy ditë, por edhe nëse s’do shkonte mirë, unë s’do të thoja që nuk kam pasur kohën e mjaftueshme – tha Gega pas ndeshjes -. Për 48 orë jam munduar që të flas me secilin sepse janë të rinj. Ky klub ka peshë të madhe, nuk mund ta lësh veten të shkosh kaq fortë. Por kam pasur edhe dilema. 3 pikëshi ynë është gjëja më e mirë që morëm sot. Një pjesë dha shumë nga ajo që prisja, pjesë tjetër më pak. Të rikuperohemi fizikisht sepse kemi ndeshje pas 3 ditësh. T’i marrim gjërat ngadalë”.

Vendosi Eleke
Sfida nisi me një ritëm të lartë, dhe që në minutën e 8’, Eleke përfitoi nga një gabim i mbrojtësit Lleshi, por nuk arriti të gjejë portën, ndërsa tentativa e Taipit në vijim ishte shumë e pasaktë. Laçi reagoi në minutën e 19’, kur Bullari fitoi një duel me Sembenen dhe shërbeu për Myrtën, i cili nuk ia doli të dërgonte topin në rrjetë.

Të kuqtë vazhduan të kërkonin avantazhin dhe në minutën e 24’, Eleke shërbeu për Bintsukën, por goditja e këtij të fundit u ndal pa problem nga portieri Molla. Në krahun tjetër, Laçi krijoi një mundësi të mirë në minutën e 38’, kur Tresha testoi Qirkon me një gjuajtje të fortë, por portieri i Partizanit u tregua i vëmendshëm.

E megjithatë, në minutën e 40-të, Eleke zhbllokoi sfidën pas një gabimi të portierit Molla, i cili nuk largoi siç duhet rrezikun, duke i dhënë sulmuesit të kuq mundësinë për të dërguar topin në rrjetë dhe për të ndezur festën në “Arenën e Demave”. Vetëm pak minuta më vonë, Laçi e çoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

 

Gega i kujdesshëm, Laçi pa forcë
Në pjesën e dytë, kurbinasit u përpoqën të reagonin dhe në minutën e 61′, Bibo provoi me një goditje fluturimthi, por topi përfundoi jashtë. Laçi ishte pranë barazimit edhe në minutën e 72’, kur Bullari goditi me kokë pas një harkimi të saktë, por nuk arriti të mposhtte Qirkon. Partizani pati shansin të mbyllte gjithçka në minutën e 77’, kur Keko goditi, por topi përfundoi në rrjetën e jashtme.

Në minutat e fundit, të kuqtë patën dy mundësi të tjera të mira për të vulosur fitoren. Fillimisht, në të 89’, Taipi u gjend pranë golit pas disa kombinimeve të bukura, por gjuajtja e tij nuk gjeti kuadratin. Më pas, në minutën e 91’, Keko humbi një mundësi të artë për të siguruar fitoren me një goditje të pasaktë nga brenda zonës.

Me këtë fitore, Partizani ngjitet në kuotën e 7 pikëve mbi Elbasanin, duke konsoliduar vendin e katërt, ndërsa Laçi mbetet në vendin e parafundit, duke komplikuar edhe më shumë situatën e tij në kampionat. “Sot djemtë bënë një ndeshje të mirë, është periudhë jo e mirë – tha i mërzitur tekniku Francesco Moriero -. Sot dhuruam një gol në situatë ku e zotëronim ne topin. I vetmi Laç që njoh është i punës, kemi bërë çdo gjë për të fituar ndeshjen, patëm rastet tona, nuk arritëm të shënonim. Të kesh katër pesë raste në një ndeshje, janë shumë. Duhet të vazhdojmë të punojmë, janë edhe katër ndeshje”.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top