Elbasani turpëron Tiranën me poker, Bordin i habit të gjithë: “Bëmë ndeshje të mirë”

Tirana mbetet e zhytur në krizë dhe fitorja në derbin me Partizanin duket një kujtim i largët. Elbasani ka shkatërruar 1-4 bardheblutë në Air Albania, në ndeshjen e fundit të fazës së parë të kampionatit. Për Bordin një rezultat që e mban në zonën e ftohtë, por ajo që habit më shumë tifozët e irrituar për renditjen e skuadrës, është kënaqësia e italianit për performancën e bërë në këtë disfatë: “Bëmë një ndeshje të mirë, por do e analizojmë për golat që morëm. Skuadra nuk ishte më në ekuilibër”.

Dygolëshi i Tsague e besimi i Gvozdenovic
Ëndërrat bardheblu u goditën dy herë nga Tsague. Sulmuesi verdheblu vuri në krizë të fortë prapavijën e Bordin, që u ndëshkua në minutën e 38’ dhe 42’. Tirana u mundua të futej në lojë dhe goli i Tabekou dha iluzionin se mund ta bënin. Megjithatë, ajo “rrjetë e tundur” rezultoi vetëm statistikore në përfundim të ndeshjes, sepse Elbasani u kthye të krijojë dhe të bëjë presion, duke e bërë të pamundur për kryeqytetasit të pretendonin rezultat. “Sot ishim me një besim të madh që do fitonim. Edhe kur rezultati ishte 1-2, nuk ishim ne ata që kishim frikë si kundër Ballshit. Madje në Ballsh kishim më shumë stres sesa frikë”, tha Gvozdenovic.

Bordin e ka me arbitrin
Gomes e Diallo mbyllën çdo histori, edhe pse Bordin ka pakënaqësitë e veta, duke e kaluar fajin nga arbitri: “Kemi marrë dy gola… golin e dytë nuk e pamë nëse kishte faull. Ndoshta edhe goli i 3-të mund të ishte faull për Dembele në mesin e fushës. Në pjesën e parë kishim momente të mira. Në momentin që e çuam ndeshjen 1-2 ishim superiorë duke krijuar disa raste. Unë mendoj që ishte faull goli i 3-të, faull kundër Dembele. Sigurisht që nuk do të merrnim atë gol, do të ishim akoma në lojë. Pastaj goli i katërt… skuadra nuk ishte në ekuilibër”.

Kështu, Elbasani shkon në vendin e 3-të në tabelën e klasifikimit me 17 pikë. Në krahun tjetër, me vetëm 6 pikë, Tirana mbetet në vendin e parafundit në tabelë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top