Elbasani vazhdon marshimin e tij mbresëlënës në Kategorinë Superiore. Verdheblutë e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç triumfuan 0-1 në “Arenën e Demave” ndaj Partizanit, duke e çuar në 10 pikë kuotën e tyre pas katër javësh dhe duke blinduar kreun e renditjes. Nga ana tjetër, të kuqtë regjistrojnë humbjen e dytë sezonale, duke mbetur në vendin e pestë me vetëm 4 pikë. Gvozdenovic fiton kështu derbin me Milinkovic, atë të trajnerëve serbë në Superiore dhe mban kryesimin pas 4 javëve të para.
Goli që vendosi fatet e sfidës
Sfida u vendos në minutën e 36-të, kur Bunjaku shënoi golin e vetëm të takimit pas një aksioni të ndërtuar me kujdes. Partizani e komplikoi më tej ndeshjen në minutën e 59-të, kur Bytyçi u ndëshkua me kartonin e kuq pas dy të verdhëve. Me një lojtar më shumë, Elbasani administroi lojën me zgjuarsi, duke mos lejuar kthesë në rezultat.
Gvozdenoviç: “Mentalitet fitues, por duhet ende kohë”
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, e pranoi se ishte një sfidë e vështirë, por evidentoi rritjen e skuadrës së tij: “Sot ishte një ndeshje e fortë, ndaj një rivali që ka emër. Jam i kënaqur me pikët dhe mbi të gjitha me vazhdimësinë që kemi treguar. Pas 4 javësh kemi 10 pikë dhe jemi në vendin e parë, kjo tregon se kemi mentalitet fitues. Megjithatë, kur ishim në avantazh dhe me një lojtar më shumë, duhet të kishim guxuar më shumë në sulm për ta mbyllur ndeshjen. Ende kemi nevojë për kohë që të bëhemi plotësisht skuadër e pjekur.”
Serbi ndaloi edhe te organika e tij, duke veçuar disa prej lojtarëve: “Jam i kënaqur me të gjithë, por dua të përmend Boriçin. Është shumë i talentuar dhe nëse punon me seriozitet do të marrë më shumë minuta. Sot kishim sërish 3 mungesa, por grupi reagoi siç duhet.”
Milinkoviç: “Ishte ndeshja jonë më e mirë, por mungoi goli”
Në krahun tjetër, trajneri i Partizanit, Mladen Milinkoviç, shfaqi keqardhje për humbjen: “Më vjen keq, sepse sot ishte ndeshja jonë më e mirë në këtë fillim kampionati. Kishëm raste të pastra për gol, por në futboll gjëja më e rëndësishme është konkretizimi. Kur nuk shënon, ndëshkohesh. Edhe kartoni i kuq i Bytyçit e vështirësoi situatën.”
Tekniku serb theksoi se skuadra e tij vuan nga mungesa e stabilitetit: “Nuk mund të ketë luhatje të tilla gjatë një ndeshjeje nëse synojmë trofetë. Shumë lojtarë ishin jashtë, kjo na penalizon. Nuk dua të justifikohem, por pa elementët më të rëndësishëm është e vështirë. Megjithatë, nëse vazhdojmë me të njëjtën dëshirë, jam i bindur se do të përmirësohemi.”
Një sezon që premton shumë
Elbasani i Gvozdenovic ka dhënë sinjale të qarta se nuk është thjesht surprizë e fillimit të kampionatit, por një skuadër që po fiton identitet dhe qëndrueshmëri. Fitorja në Tiranë, përballë një rivali tradicional si Partizani, është një mesazh i fortë për rivalët në garë. Nga ana tjetër, të kuqtë duhet të gjejnë sa më shpejt stabilitetin për të mos humbur terren që në start.