Një gazetar i njohur saudit, i arrestuar në vitin 2018 dhe i dënuar për akuza për terrorizëm dhe tradhti ndaj shtetit, është ekzekutuar – njoftuan autoritetet saudite. Grupet aktiviste pohojnë se akuzat ndaj tij ishin të sajuara.
Turki Al-Jasser, në fund të të dyzetave, u ekzekutua të shtunën, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Saudi Press Agency, pasi dënimi me vdekje ishte miratuar nga gjykata më e lartë e vendit.
Autoritetet kishin bastisur shtëpinë e Al-Jasserit në vitin 2018, duke e arrestuar dhe sekuestruar kompjuterët e tij dhe telefonat. Nuk është bërë e ditur se ku u zhvillua gjyqi apo sa zgjati.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork (CPJ), autoritetet saudite pretendonin se Al-Jasser qëndronte pas një llogarie në rrjetin X (dikur Twitter) që ngrinte akuza për korrupsion ndaj anëtarëve të familjes mbretërore. Gjithashtu, Al-Jasser thuhet se kishte postuar disa komente kontroverse në lidhje me militantët dhe grupet ekstremiste.
Carlos Martínez de la Serna, drejtor i programit të CPJ, dënoi ekzekutimin dhe theksoi se mungesa e llogaridhënies pas vrasjes së kolumnistit të Washington Post, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018, ka lejuar që përndjekja ndaj gazetarëve në mbretëri të vazhdojë pa pengesa.
“Mospërgjegjësia ndërkombëtare për Jamal Khashoggin nuk ishte vetëm një tradhti ndaj një gazetari,” tha ai, duke shtuar se ajo “e ka inkurajuar sundimtarin de facto, princin e kurorës Mohammed bin Salman, të vazhdojë përndjekjen e shtypit.”
“Ekzekutimi i Al-Jasser-it është një dëshmi e përsëritur se në Arabinë Saudite, dënimi për të kritikuar apo për të vënë në dyshim princin e kurorës Mohammed bin Salman është vdekja,” u shpreh Jeed Basyouni, drejtuese e sektorit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në organizatën Reprieve, që vepron kundër dënimit me vdekje.
Basyouni shtoi se Al-Jasser ishte gjykuar dhe dënuar “në fshehtësi të plotë për ‘krimin’ e gazetarisë.”
Një skuadër vrasëse saudite vrau Khashoggin në konsullatën saudite në Stamboll. Komuniteti amerikan i inteligjencës përfundoi se princi i kurorës kishte dhënë urdhrin për operacionin, por autoritetet saudite këmbëngulin se ai nuk kishte lidhje me vrasjen.
Al-Jasser kishte drejtuar një blog personal nga viti 2013 deri në 2015 dhe ishte i njohur për artikujt e tij mbi lëvizjet e Pranverës Arabe në vitin 2011, të drejtat e grave dhe korrupsionin.
Arabia Saudite është përballur me kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut për numrin dhe metodat e saj të ekzekutimeve, përfshirë prerjen e kokës dhe ekzekutimet masive. Në vitin 2024, ekzekutimet në vend u rritën në 330, sipas aktivistëve dhe organizatave për të drejtat e njeriut, ndërsa mbretëria vazhdon të godasë fort çdo formë mospajtimi.
Muajin e kaluar, një analist britanik i Bank of America u dënua me 10 vjet burg në Arabinë Saudite, për shkak të një postimi të fshirë më pas nga rrjetet sociale, sipas avokatit të tij.
Ndërkohë, në vitin 2021, një shtetas me shtetësi të dyfishtë saudito-amerikane, Saad Almadi, u arrestua dhe më pas u dënua me më shumë se 19 vjet burg, për akuza të lidhura me terrorizmin për shkak të postimeve të tij në Twitter, të bëra ndërsa jetonte në SHBA. Ai u lirua në vitin 2023, por i është ndaluar të largohet nga mbretëria.