Ekuadori në luftë me kartelet e drogës, BBC: Bandat shqiptare rol kyç në shpërndarjen e kokainës

Sipas autoriteteve ekuadoriane, rreth 70% e kokainës që mbërrin në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kalon përmes Ekuadorit. Droga hyn në vend nga Kolumbia dhe Peruja, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, ndërsa bandat vendase, të lidhura me kartelet meksikane dhe grupet kriminale shqiptare, organizojnë transportin drejt tregjeve ndërkombëtare.

Qyteti i Duranit në Ekuador, një nga zonat më të goditura nga trafiku i drogës dhe luftërat mes bandave kriminale, është kthyer në simbol të krizës së sigurisë që po përjeton vendi. BBC shkruan se kapiteni i Policisë Jean Carlos Bustamante, i cili drejton një njësi të posaçme kundër krimit të organizuar, thotë se armiku i policisë nuk janë vetëm bandat, por edhe korrupsioni i përhapur brenda institucioneve shtetërore.

“Ne kemi shumë njerëz të këqij brenda policisë, brenda shtetit dhe politikës. Shumë prej tyre janë të korruptuar dhe paguhen nga bandat kriminale”, shprehet ai. Gjatë një operacioni në një lagje të kontrolluar nga banda “Los Aguilas”, efektivët bastisën një banesë të braktisur, ku gjetën dy armë zjarri dhe municion për pushkë automatike. Sipas Bustamantes, çdo armë e sekuestruar është një rrezik më pak në duart e kriminelëve. Megjithatë, ai pranon se kjo është vetëm një fitore e vogël në një luftë shumë më të madhe.

“Bandat kanë shumë më tepër armë dhe para sesa shteti”, thotë ai.

Kapiteni ka humbur tre miq të ngushtë gjatë përballjeve me grupet kriminale. Ai pohon se nuk ka më frikë për veten, por prindërit e tij jetojnë çdo ditë me ankthin se mund të mos kthehet më në shtëpi.

Ekuadori, korridor kryesor i kokainës drejt Evropës dhe SHBA-së

Pozicioni gjeografik, kufijtë e dobët, mungesa e burimeve për forcat e sigurisë dhe dalja e gjatë në Oqeanin Paqësor e kanë kthyer Ekuadorin në një nyje strategjike të trafikut ndërkombëtar të drogës. Brenda pak vitesh, vendi që dikur konsiderohej një destinacion i qetë turistik është shndërruar në një nga vendet me nivelin më të lartë të vrasjeve në botë. Sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit, gjatë vitit të kaluar u regjistruan mbi 9.200 vrasje.

Lufta kundër bandave dhe akuzat për korrupsion

Presidenti Daniel Noboa ka ndërmarrë një ofensivë të ashpër kundër krimit të organizuar, por kritikët argumentojnë se arrestimi i drejtuesve të bandave ka sjellë copëtimin e grupeve kriminale në organizata më të vogla dhe më të shumta. Në një tjetër operacion, policia arrestoi tre persona të dyshuar për shpërndarje droge. Në një vazo me lule u gjetën doza të vogla të drogës “H”, një përzierje shumë e rrezikshme që përmban heroinë dhe shitet për vetëm 1 dollar për dozë. Megjithatë, vetëm një nga të arrestuarit u akuzua zyrtarisht, ndërsa dy të tjerët u lanë të lirë. Koloneli Santiago Gavilanes, zëvendëskomandant i policisë së Duranit, fajëson sistemin e drejtësisë për lirimin e vazhdueshëm të të dyshuarve.

“Ne i arrestojmë, ndërsa ata lirohen. Më pas i gjejmë sërish në operacione të tjera. Disa prej tyre vazhdojnë të vrasin njerëz dhe lënë pas familje të shkatërruara”, deklaron ai. Sipas tij, bandat kriminale kanë para të mjaftueshme për të korruptuar gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë. Një oficer tjetër policie, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për arsye sigurie, tregoi se kishte marrë oferta ryshfeti me vlerë të mjaftueshme për të dalë në pension, por i kishte refuzuar. Ai beson se dikush nga brenda policisë kishte informuar bandat për pozicionin dhe detyrën e tij.

Banda: “Paguajmë policët që të na paralajmërojnë”

Gjatë një takimi me një grup kriminal në periferi të Duranit, lideri i bandës, i identifikuar me emrin “Jonathan”, pranoi se kishte katër efektivë policie në listën e pagesave. “Sapo policia planifikon një operacion, ata më telefonojnë. Më thonë të fsheh armët dhe drogën ose të largohem. Kur mbërrijnë, nuk gjejnë asgjë”, deklaroi ai. Sipas tij, ky rrjet informatorësh i kushton bandës nga 1.500 deri në 2.000 dollarë në muaj. Jonathan pranoi gjithashtu se është trafikant droge dhe vrasës. Kur u pyet se sa persona kishte vrarë, ai u përgjigj: Rreth tetë. Nuk i mbaj mend saktësisht. Ai tha se banda e tij lufton vetëm kundër grupeve rivale, por pranoi se adoleshentë të armatosur janë pjesë e organizatës. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, fëmijë vetëm 12 vjeç rekrutohen nga bandat, ndërsa në moshën 15-vjeçare shumë prej tyre shndërrohen në vrasës me pagesë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top