Në “Arena e Demave”, kampionët në fuqi të Egnatias dhuruan një tjetër paraqitje bindëse, duke mposhtur Tiranën me shifrat 2-0 me golat e Buric e Albanese. Rezultati mund të tingëllojë i ngushtë, por mënyra se si u zhvillua sfida tregoi një epërsi të plotë të rrogozhinasve, që krijuan raste të shumta dhe e mbajtën gjithmonë nën presion skuadrën bardheblu. Tirana, në anën tjetër, konfirmoi krizën e nisjes së sezonit duke mbetur në vendin e fundit të renditjes me vetëm dy pikë pas katër javësh.
Një pjesë e parë në një drejtim të vetëm
Që në minutat e para, ekipi i Edlir Tetovës u shfaq agresiv dhe i vendosur për të marrë frenat e lojës. Goditjet e njëpasnjëshme drejt portës së Tafës e mbajtën në alarm mbrojtjen kryeqytetase, ndërsa Buriç ishte protagonisti kryesor i rasteve të humbura. Sulmuesi kroat megjithatë gjeti golin në minutën e 36-të, duke konkretizuar dominimin e Egnatias dhe duke dërguar skuadrën e tij në avantazh. Tirana pati shumë vështirësi për të dalë përpara, duke u mjaftuar vetëm me tentativa sporadike pa rrezik real.
Albanese vulos fitoren
Pjesa e dytë nisi me të njëjtën tablo. Vetëm pak minuta pas rifillimit, Albanese dyfishoi shifrat me një goditje të fuqishme nga distanca, duke mbyllur praktikisht ndeshjen. Me epërsinë 2-0, Egnatia uli ritmin dhe administroi rezultatin, por pa e lejuar Tiranën të krijonte rrezik serioz deri në fishkëllimën e fundit. Në fakt, rrogozhinasit gjetën edhe dy herë të tjera rrjetën, por golat u anuluan për pozicione jashtë loje.
Klasifikimi dhe panorama pas javës së katërt
Me këtë fitore, Egnatia ngjitet në vendin e dytë me 7 pikë, duke qëndruar shumë afër kreut dhe duke konfirmuar statusin e saj si favorite për titull. Ndërkohë, Tirana ndodhet në fund të tabelës me vetëm dy pikë, një bilanc që tregon një fillim kampionati shumë poshtë pritshmërive.
Fjalët e Tetovës: “Finalizimi na shqetëson”
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me fitoren dhe lojën, por evidentoi si problem kryesor shfrytëzimin e rasteve: “Krijuam shumë, por humbëm shumë raste flagrante. Lojtarët duhet të jenë më të qartë para portës, kjo më shqetëson. Megjithatë, ritmi po rritet dhe jam i bindur që ndeshje pas ndeshjeje do të përmirësohemi. Kemi një grup të kompletuar, edhe pse sot na mungonin disa lojtarë. Po e ndërtojmë skuadrën hap pas hapi dhe jemi në rrugën e duhur.” Në fund edhe një thumbim për ish-teknikun e Elbasanit dhe lojën e tij të përhershme: “E kam parë dhe tek Elbasani. Mendoj që ai po përdor të njëjtën zgjidhje si tek verdheblutë dhe ia thashë këtë gjë edhe lojtarëve”.
Bordin: “Përgjegjësia është e të gjithëve”
Në kampin bardheblu, trajneri Roberto Bordin pranoi hapur vështirësitë dhe situatën e rëndë të ekipit: “Të gjithë kemi përgjegjësi. Humbja vjen sepse nuk shënuam kur patëm rastin tonë dhe më pas kundërshtari tregoi forcën. Duhet të punojmë shumë për ta ndryshuar këtë situatë. Unë dhe lojtarët jemi të vetëdijshëm për krizën ku jemi, por duhet të reagojmë. Nuk është e lehtë kur mungojnë disa titullarë të rëndësishëm, por justifikime nuk mund të ketë.”
Kriza bardheblu kërkon reagim të menjëhershëm
Rezultati i mbrëmjes tregon se diferencat mes dy skuadrave janë të mëdha në këtë moment të kampionatit. Egnatia shfaqet e konsoliduar dhe me ide të qarta loje, ndërsa Tirana mbetet e përfshirë në një krizë të thellë identiteti dhe rezultatesh. Pa një kthesë të menjëhershme, bardheblutë rrezikojnë të mbeten jashtë objektivave që drejtuesit kishin shpallur për këtë sezon.