Dy ndeshje kanë mbetur ende për të përcaktuar të gjitha verdiktet e një sezoni të gjatë e me plot befasi. Tre skuadra janë ende matematikisht në garë për titullin, ndonëse vetëm Egnatia ka fatin e saj në duar. E kështu, në aksin Elbasan-Tiranë ku do të luhet xhiro e fundit e Final 4, luhet për titullin, por edhe për financa, sepse diferenca mes atij që luan në Champions dhe kujt luan në Conference League është e madhe. Skuadra që do të ngrejë lart trofeun, përveç shpërblimit prej 100 mijë euro nga Federata Shqiptare e Futbollit për titullin kampion, do të arkëtonte edhe 510 mijë euro nga kualifikimi në Champions dhe prezenca në raundin e parë. Nuk mbaron me kaq, sepse edhe në rast eliminimi, kampioni do të zbriste në raundin e dytë të Conference League, duke i shtuar vetes edhe 350 mijë euro të tjera.
Nëse rrogozhinasit shpallen kampion, kuota 1 milionë euro përmbushet me 50 mijë euro të fituara si vend i tretë në sezonin e rregullt. Vllaznia do të maksimizonte të ardhurat nëse shpallet kampion, duke kapërcyer në 1 060 000 bonusin falë kryesimit në sezonin e rregullt, ndërsa Elbasani do të shihet hyrjet të ishin 30 mijë euro më pak se shkodranët në rast të shpalljes kampion.
Për ata që do të shkojnë pastaj në raundin e parë të Conference League arkëtimi do të ishte 325 mijë euro për prezencën dhe raundin e parë në turne, që do ti shtoheshin shpërblimet e fituara nga sezoni i rregullt: për Vllazninë 425 mijë euro, Elbasanin 395 mijë, Egnatian 375 mijë dhe Dinamon 345 mijë, duke qenë se u komplikua mundësia për të shkuar direkt në raundin e dytë dhe me shumë mundësi do të luajë si të tjerët nga fillimi.