Egnatian e pret një sfidë e veçantë në Rumani, jo vetëm përballë një kundërshtari me traditë dhe ambicie europiane, por edhe në një impiant që përfaqëson një tjetër dimension të futbollit ballkanik. Universitatea Craiova ka avantazh të dukshëm në vlerën e organikës dhe në kapacitetet financiare, ndërsa drejtuesit e klubit kanë zgjedhur edhe një mënyrë interesante për të afruar tifozët në stadium.
Në letër, diferenca mes Universitatea Craiova dhe Egnatias është e konsiderueshme. Klubi rumun përfaqëson një realitet me traditë të gjatë në futbollin europian, ndërsa Egnatia është një histori suksesi shumë më e re, që ka fituar terren në futbollin shqiptar përmes investimeve dhe rezultateve të viteve të fundit. Ky ndryshim reflektohet edhe në përmasat e dy skuadrave. Craiova ka një organikë me një vlerë 36.85 milionë euro në tregun e futbollistëve, shumë më të lartë në raport me kampionët e Shqipërisë. 17 lojtarë nga 27 të Universitateas kalojnë barrierën e 1 milionë euro, ndërsa ylli i skuadrës është sulmuesi i majtë Stefan Baiaram, kartoni i të cilit kushton 5 milionë euro. Edhe kapacitetet financiare të klubit rumun janë në një tjetër nivel krahasuar me ato të Egnatias.
Sidoqoftë, futbolli nuk luhet vetëm në bilance dhe vlera tregu, por skena ku do të zhvillohet kjo përballje është po aq domethënëse. “Ion Oblemenco”, shtëpia e Universitatea Craiovas, është një nga stadiumet më moderne të Rumanisë. Impianti aktual u inaugurua në vitin 2017, ka një kapacitet prej afro 31 mijë spektatorësh dhe mban emrin e një prej figurave më të mëdha të historisë së klubit. Ai zë vendin e stadiumit të vjetër, i hapur në vitin 1967, ku u shkruan shumë prej kapitujve të historisë së futbollit në Craiova. Një arenë moderne, por me një emër që ruan lidhjen me traditën dhe identitetin e klubit, që ka menduar edhe një mënyrë të veçantë për të nxitur praninë e tifozëve përballë rrogozhinasve.
Universitatea ka njoftuar se çdo biletë e blerë për sfidën me Egnatian do të jetë e vlefshme edhe për ndeshjen e ardhshme të kampionatit. Një ofertë që synon të mbushë shkallët e stadiumit dhe të krijojë një atmosferë sa më të zjarrtë në këtë përballje europiane. Kështu, për Egnatian, sfida është e madhe, kundërshtari ka përmasa të tjera, por në fushë diferencat duhet të provohen.