Egnatia, rruga e titullit kalon nga Kukësi: Partizani, sërish në shtëpi, ndaj Laçit tenton afrimin

Java e 20 e Superiores mund të sjellë ndryshime të tjera në renditje. Partizani shpreson të ngushtojë distancën me Egnatian, që ka një transfertë delikate përpara. Në fund, përpjekje për të lëvizur ujërat nga Teuta e Kukësi në zonën e rënies, ndërsa katër skuadra janë me 22 pikë, në tentativë për ti shpëtuar playout-it.

Pesë pikët e distancës që e ndajnë nga vendi i dytë e bën të sigurtë për kryesimin Egnatian, por në anën tjetër rrogozhinasit e kanë të qartë se nëse nuk nisin të xhirojnë fort, do jetë e komplikuar të mos ndjejnë pas shpine dihatjen e Partizanit. Skuadra e Tetovës duhet të menaxhojë një transfertë delikate si ajo të premtes në Kukës. Blutë kanë pësuar humbjen e parë pas 5 barazimesh radhazi, si për të kujtuar se për t’i mundur nuk është fare e thjeshtë. Nica, i dorëhequri i rikthyer, edhe mund t’i ketë dhënë një shkundje të tijve me veprimin e bërë, për tu larguar nga zona e rënies.

Aty ku duhet të japë një goditje edhe Teuta, për të mos e parë veten gjithnjë e më të fundit. Durrsakët kanë 11 ndeshje që nuk fitojnë dhe Tirana nuk duket kundërshtari i duhur, por në pozitat në të cilat ndodhet Martini duhet ta provojë gjithësesi. Ahmataj, i treti, kërkon të shkëputet nga shoqëria e Vllaznisë, për më tepër që nuk i duhet dhënë asnjë shpresë atyre që aspirojnë një vend në Final Four.

SUPERIORE, JAVA E XX
19/01/24
Kukësi 13 : 30 Egnatia
Teuta 17 : 00 Tirana
20/01/24
Erzeni 13 : 30 Vllaznia
Partizani 17 : 00 Laçi
Skënderbeu 17 : 00 Dinamo

Me një ditë vonesë, por me rezultatin e Egnatias të ditur, zbret në fushë Partizani, që e nisi me fitore epokën Shehi në pankinë dhe tani, në ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi, kërkon vazhdimësinë ndaj Laçit. Mungesat nuk e shqetësojnë edhe aq shumë teknikun, që rigjen lojtarë të rëndësishëm si Keko e Mehmeti, me të cilët shpreson në një kombinim rezultatesh që ta afrojë në distancë parakalimi me Egnatian. Në fushë, të shtunën, janë të katër skuadrat që ndajnë renditjen me 22 pikë e që duan të distancohen nga zona e rrezikut, por Erzeni duhet të bëjë llogaritë me Vllazninë e Skënderbeu në përplasjen direkt me Dinamon.

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top