Pas Dinamo e Vllaznisë, fitore të rëndësishme ka marrë edhe Egnatia në transfertë ndaj Dinamo Minsk me rezultatin 0-2. Një paraqitje tepër e mirë e rrogozhinasve, krejt ndryshe nga sthurja e një jave më parë në Islandë kundër Breidablik, që u shpërblye me golin e Lushkjes në pjesën e parë dhe Bakayoko në fundin e ndeshjes. Kthimi duket më i thjeshtë për kampionët e Shqipërisë, që në Arena Egnatia kanë dy gola për të mbrojtur.
Dinamo Minsk ishte një kundërshtar që frikësonte, duke qenë se kishte luajtur në fazën e grupeve sezonin e kaluar. Për fat, transferta në Hungari e jo në Bjellorusi ka qenë një avantazh që Egnatia e shfrytëzoi më së miri. Sfida e parë e vlefshme për turin e dytë të kompeticionit u vendos nga golat e Lushkjes dhe Bakayoko.
Rrogozhinasit kontrolluan lojën që në fillim, duke e vënë nën presion Dinamo Minsk. Bjellorusët pësuan golin e parë në minutën e 28’ nga Lushkja, i rikthyer në fushë pas skualifikimit që e ndaloi të lunate kthimin e raundit të parë të Champions me Breidablik. Kampionët e Shqipërisë patën mundësi për të shënuar më tepër gola, por duhet të kënaqen me vulën e Bakayoko në minutën e 88’. Dinamo Minsk në anën tjetër nuk bëri asgjë për të merituar më tepër dhe tashmë Egnatia është një hap pranë historisë, duke qenë se kurrë më parë nuk ka arritur të kalojë një raund në kupat e Europës.