Egnatia konfirmon momentin pozitiv në kampionat duke mposhtur Teutën me rezultatin 4-2 në stadiumin “Arena Egnatia”, në një ndeshje spektakolare të javës së 27-të të “Abissnet Superiore”. Sfida, e cila mbylli edhe fazën e tretë të kampionatit për të dyja skuadrat, prodhoi gjashtë gola, ritëm të lartë dhe një karton të kuq që ndikoi në minutat e fundit të takimit.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Ndeshja nisi me një qasje më agresive nga ana e Teutës, e cila arriti të kalonte e para në avantazh me Zogos. Megjithatë, reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm dhe tregoi qartë karakterin e skuadrës që synon të mbetet në zonën e kreut. Albanese barazoi rezultatin duke përfituar nga një gabim i portierit Selmani, ndërsa në kohën shtesë të pjesës së parë Adjessa përmbysi gjithçka, duke i dhënë vendasve avantazhin psikologjik përpara pushimit.
Në pjesën e dytë, Teuta nuk u dorëzua dhe arriti të rikthejë baraspeshën me Maçollin, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Për disa minuta ndeshja u bë edhe më e hapur, me të dyja skuadrat që kërkonin golin e avantazhit. Megjithatë, cilësia dhe thellësia e organikës së Egnatias bënë diferencën në momentet kyçe. “Sigurisht që kam disa pakënaqësi – tha tekniku i rrogozhinasve Edlir Tetova -. Në pjesën e parë lamë shumë hapësira në fazën mbrojtëse. Mundësitë e Teutës ishin të mëdha në pjesën e parë, nuk më pëlqeu. Duhet t’i japim merita kundërshtarit, por përsëri ngulmimi për ta çuar ashtu siç e kishim përgatitur ndeshjen, lë për të dëshiruar, momente-momente.
Buriç riktheu avantazhin për skuadrën e Rrogozhinës, ndërsa situata u vështirësua edhe më shumë për Teutën në minutën e 79-të, kur Kotobelli u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë durrsakët me një lojtar më pak. Me epërsinë numerike dhe kontrollin e lojës, Egnatia administroi minutat e fundit dhe vulosi përfundimisht fitoren me penalltinë e realizuar nga Fernando në minutën e 93′, duke dëshpëruar teknikun e Teutës, Enkelejd Dobi. “Pas golit të dytë që barazuam, duhet të ishim më të matur, të kishim më shumë pjekuri. Në mënyrën e sjelljes, në mënyrën e vendosjes dhe të intepretimit të disa gjërave. Nuk është pjesa e dytë, çfarë ndodhi… pas golit të 3-të iku gjithçka, karton i kuq, morëm golin e 4-t me penallti përsëri. Duhet të jemi më të matur, qëndrojmë deri në fund”.
Ky sukses e mban Egnatian plotësisht në garë për vendet e para të kampionatit. Skuadra e Rrogozhinës ngjitet në kuotën e 49 pikëve, duke ndarë vendin e dytë me Elbasanin dhe duke mbetur vetëm dy pikë larg kryesueses Vllaznia. Në anën tjetër, Teuta mbetet në vendin e gjashtë me 34 pikë, duke vijuar një sezon të paqëndrueshëm që e mban larg zonës së katër skuadrave më të mira.