Egnatia po përgatitet për transfertën e parë në fazën e ligës së Conference League. Përballë do të jetë Aarhus, në një ndeshje që duke parë kalendarin mund të rezultojë shumë e rëndësishme. Problemi kryesor për Deden është Adjessa, që rrezikon të mungojë në Danimarkë, duke qenë se doli i dëmtuar nga ndeshja me Vllazninë në kampionat.
Egnatia bëhet gati për transfertën e parë në fazën e ligës së Conference League, që duke parë kalendarin e kampionëve të Shqipërisë bëhet shumë e rëndësishme. Aarhus është një prej tre favoritëve të këtyre përballjeve, bashkë me Midtjylland e Bragën, me të cilën Dede do të ndeshet në takimin e gjashtë dhe të fundit të fazës së ligës. Kështu, pasi i mori pikë danezes së parë me të cilën u përplas në debutim, tani në transfertën e Danimarkës, por kundër kampionëve në fuqi, Egnatia e di se luan më shumë se një ndeshje. Duke marrë qoftë edhe një pikë, rrogozhinasit do të ndalnin avancimin e tyre në renditjen e vetme, duke provuar më pas të maksimizojnë pikët kundër Universitatea Craiova, Red Bull Imperials dhe Kaunas Zalgiris.
Problemet ofensive
Një skenar që natyrisht Dede e mendon, edhe pse në këtë dalje të parë jashtë fushës, do të kërkojë të bëjë goditjen, që i shkoi pranë edhe kundër Midtjylland. Problemi i vërtetë do të jetë sulmi. Me Bakayoko që tashmë dihet që nuk është i disponueshëm, zgjedhjet për qendërsulmuesin janë reduktuar shumë, sepse edhe Adjessa rrezikon të mungojë në Aarhus. Kamerunasi ka dalë i dëmtuar nga ndeshja me Vllazninë, në të cilën shënoi edhe gol dhe rrezikon të mos jetë i gatshëm për transfertën daneze. Një problem jo i vogël për Deden, që megjithatë ka shumë cilësi në repartin e avancuar dhe po rigjen edhe formën e Montenegros, që mezi pret të ketë shansin e tij, atë shans që mund të vijë në Aarhus.
Diferenca mes skuadrave
Një sfidë që kërkon përqendrim maksimal, kujdes taktik dhe efikasitet në të dyja fazat e lojës. Kampionët e Shqipërisë e dinë mirë se Aarhus përfaqëson një kundërshtar me peshë, me një organikë që vlerësohet rreth 38 milionë euro. Diferenca në vlerën e skuadrave është një tregues i nivelit të sfidës që e pret Egnatian, por verdikti do të jepet në fushë, aty ku organizimi, karakteri dhe zbatimi i planit taktik mund të bëjnë diferencën. Aq më tepër që pasi ke ndalur me dinjitet Midtjylland, me një vlerë lojtarësh edhe më të madhe atëherë pretendimi bëhet legjitim. Nevil Dede kërkon formulën e duhur për të befasuar kampionët e Danimarkës, duke shkuar madje edhe përtej trendit të rezultateve që Egnatia ka marrë në transfertë në këtë fushatë europiane.