Egnatia ka rimarrë kreun e renditjes të Kategorisë Superiore, duke mposhtur 0-2 Vllazninë në Loro Borici e duke përfituar nga barazimi i një ditë më parë i Partizanit e Dinamos. Një ndeshje e vendosur nga penalltia e Lushkjas dhe goli i Zejnullait, por që ka tërbuar shkodranët për dy episode penalltish, që kanë shkaktuar polemika të forta.
Pikërisht për këtë arsye arbitri Lata është kthyer në qendër të kritikave të kampit kuqeblu: vendasit kishin pretendime për penallti në minutën e 37 për faull ndaj Malës, ndërsa një të tillë iu anulua nga VAR në pjesën e dytë. “Krijuam shumë mundësi në pjesën e dytë – e nisi tekniku i Vllaznisë Thomas Brdaric -. Për mua arbitri ka bërë gabimet e tij dhe kur i shikoj në video janë penallti të qarta. Përsa i përket penalltisë së Egnatias ajo nuk ishte e drejtë. Këto vendime në këto ndeshje janë mjaft deçizive”.
Në fakt, ndeshja ka qenë shumë e luftuar nga të dy skuadrat që kanë krijuar raste shënimi dhe lojë shumë të bukur, me rrogozhinasit të cilët u treguan të saktë në startin e sfidës. Lata vendosi për penallti në pengimin e Ujkës nga portieri Jukaj. Nuk gaboi Lushkja e pastaj vulosi gjithçka në fund Zejnullai.
“Fitore me vuajtje – e konsideroi tekniku i Egnatias Edlir Tetova -. I thashë dhe djemve gjatë javës që do të jetë një ndeshje me episode për faktin që Vllaznia po kalonte një moment të mirë. Ishim dobët në manovrën e daljes së topit, për faktin se kundërshtari po markonte mirë. Me shumë më pak përqëndrim mund të kishin shkuar gjërat ndryshe”. Egnatia tani është e para me 39 pikë e ndjekur nga dy kryeqytetaset me një pikë më pak.