Kampionati ka nisur të shfaqë ndarjet e para të renditjes dhe tani rradhët kanë filluar të shtrëngohen edhe më shumë, me pikët që bëhen fondamentale, sidomos në përplasjet mes pretendentëve. Një rivalitet i rinovuar është ai mes kampionëve e nënkampionëve të sezonit të kaluar, që për herë të parë nga koha kur u vendos që titulli të shkonte në Rrogozhinë, sfidojnë të premten njëri-tjetrin. Egnatia, e dyta me 11 pikë, është vënë në ndjekje të Vllaznisë kryesuese, por nuk dëshiron kurrësesi të humbasë terren e madje të parakalohet nga Partizani që me 9 pikë është në distancë parakalimi. Pas tre barazimesh radhazi, Veselinovic e ka të qartë se duhet të fillojë të fitojë.
SUPERIORE, JAVA E 7
27/09/2024
16:00 Egnatia – Partizani
28/09/2024
16:00 Laçi – Teuta
19:00 Dinamo City – Vllaznia
29/09/2024
16:00 Bylis – AF Elbasani
19:00 Tirana – Skënderbeu
Dy ndeshje do të luhen të shtunën dhe në Laç, vendasit ende pa fitore, do të kërkojnë pikët e para kur të kenë përballë Teutën. Martini pas barazimit me Dinamon kërkon të përfitojë nga situata e krijuar në kampin kurbinas me deklaratat e teknikut Cungu. I pamundur që kur është ulur në pankinë, Ilir Daja do të kërkojë të thotë fjalën e tij edhe për kampionatizmin, kur të gjejë në anën tjetër të fushës kryesuesit e Vllaznisë. Kuqeblutë në krahët e euforisë insistojnë për të bërë një shkëputje më domethënëse se 2 pikët që e ndajnë aktualisht nga Egnatia e Elbasani, për të përligjur fjalën titulli që ka nisur të dëgjohet gjithnjë e më shpesh në Shkodër.
E pikërisht Elbasani, të dielën, do të kërkojë të përfitojë nga ndeshjet e vështira të rivalëve, edhe pse në Ballsh ndaj Bylis vetëm e lehtë nuk është. Egbo nuk fiton prej 4 javësh dhe renditja është bërë e sikletshme, por një fitore do ti jepte tjetër ngjyrë, me Tiranën e Skënderbeun, respektivisht me 1 e 2 pikë më shumë që përplasen mes tyre: me Shkëmbin në kërkim të fitores së parë pas 6 barazimesh e Gvozdenovic që synon suksesin e dytë radhazi.