Egnatia dhe Dinamo shkojnë më tej në Europë me përmbysje historike

Egnatia ka shkruar historinë! Rrogozhinasit kanë përmbysur në mënyrë spektakolare Shamrock Rovers me rezultatin 5-1, duke siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në fazën e ligës të një kompeticioni europian.

Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë, skuadra e Nevil Dedes realizoi një përmbysje të jashtëzakonshme në Rrogozhinë, duke fituar 6-4 në total dhe duke kaluar në play-off-in e Europa League.

Adjesa ishte protagonist i madh me dy gola, në minutat 4’ dhe 38’, ndërsa Albanese realizoi në 11’ dhe 58’. Golin tjetër e shënoi Gruda në minutën e 20-të.

Edhe pse ekipi i Nevil Dedes mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit të Ndrecës në fundin e pjesës së parë, rrogozhinasit nuk u dorëzuan dhe vijuan dominimin edhe në pjesën e dytë.

Miqtë reaguan duke gjetur njëherë rrjetën me anë të Burkes në minutën e 74’, gol që vlejti vetëm për statistikë.

Kualifikimi në play-off-in e Europa League do të thotë se Egnatia e ka të sigurt matematikisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League, duke garantuar një arritje historike për klubin dhe futbollin shqiptar.

Rregulloret e UEFA-s parashikojnë se ekipet që humbin në play-off-in e Europa League vazhdojnë në fazën e ligës së Conference League.

Egnatia tashmë ëndërron edhe më shumë: një tjetër përballje për të siguruar një vend në fazën e ligës së Europa League, teksa në play off do të ndeshet me norvegjezët e Lillestrom.

Edhe Dinamo City ka dhuruar një tjetër mbrëmje të madhe europiane, duke mposhtur me rezultatin e thellë 4-0 letonezët e Audës dhe duke përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë.

“Nëndetësja” e Ilir Dajës ishte e papërmbajtshme në transfertë dhe me fitoren 4-0 siguroi kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1, duke kaluar për herë të dytë në historinë e saj në play-off-in e Conference League.

Dinamo e nisi takimin me ritëm të lartë, por golin e parë e gjeti vetëm në minutën e 36-të. Qardaku lëshoi një goditje fantastike nga hyrja e zonës, duke e dërguar topin në cepin e portës.

Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goditja e dytë. Në minutën e 45-të, Qefalia realizoi një gol spektakolar pas një koordinimi të bukur me Qardakun, duke e mbyllur fraksionin e parë në avantazhin 2-0.

Dinamo nuk u tërhoq as pas pushimit. Në minutën e 51-të, një kundërsulm i shpejtë u finalizua nga Ayodeji, i cili shënoi golin e tretë dhe i dha skuadrës shqiptare një avantazh të sigurt në llogaritë e kualifikimit.

“Nëndetësja” e vulosi triumfin në minutën e 79-të, kur Fadairo shënoi golin e katërt dhe shpërtheu festën në kampin dinamovit.

Me këtë rezultat, Dinamo siguron për herë të dytë në historinë e saj një vend në play-off-in e Conference League ku do të ndeshet me Pafos, duke vijuar kështu aventurën europiane.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top