Editorial – Nacional Media
Flamur Buçpapaj
Të nderuar dëgjues, shikues dhe lexues të Nacional Media,
ju urojmë Gëzuar Vitin e Ri 2026.
Në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ju, Nacionali arriti majat e audiencës dhe të krijimtarisë letrare e mediatike. Ky sukses nuk erdhi lehtë. Ai u ndërtua përballë vështirësive, varfërisë, papunësisë dhe kaosit që prej vitesh e ka mbërthyer Shqipërinë.
Megjithatë, ia dolëm të jemi ndër më të mirët.
Këtë nuk e themi ne — e tregojnë klikimet, telefonatat dhe reagimet tuaja të përditshme në RTV Nacional.
Ne jemi nacionalistë, sepse duam Shqipërinë.
Duam punë të ndershme, shëndetësi me standarde evropiane, mjedis të pastër, drejtësi reale.
Nuk duam korrupsion.
Nuk duam vjedhje masive të taksave tona.
Nuk duam përqendrimin e ekonomisë në duart e pesë oligarkëve, që herët a vonë do të shpërbëhen, ashtu si dikur firmat piramidale.
Sot duhet thënë e vërteta pa frikë:
demokracia ende nuk ka ardhur.
Një grup i vogël njerëzish mban në duar mediat, ekonominë dhe paranë. Janë po ata që prej 35 vitesh e kanë zhvatur Shqipërinë — ish-sigurimsa, ish-funksionarë të Partisë së Punës, ish-byroistë politikë. Historia po përsëritet, vetëm me emra dhe maska të reja.
Pasojat janë të qarta:
– varfërim i shoqërisë
– shpopullim masiv
– humbje e shpresës
– shkatërrim i besimit te shteti dhe politika
Shkaku është po aq i qartë:
një klasë politike e kalbur, e mbyllur, arrogante dhe e shkëputur nga populli.
Të dashur njerëz,
koha është e Nacionalit dhe e Shqipërisë.
Viti 2026 duhet ta dëshmojë këtë.
Nuk duhet të pajtohemi më me këtë klasë politike të pështirë dhe perverse.
Duhet guxim, ndërgjegje dhe zë.
Duhet media që nuk shitet, që nuk frikësohet, që nuk hesht.
Nacional Media do të vazhdojë të jetë ky zë.
Sepse një komb që zgjohet,
nuk sundohet më.