“Mbas pjesës së parë iu thashë lojtarëve është e sigurt që do ta fitojmë. Rrini të qetë, besoj te kualiteti juaj. Derbi jo vetëm luftohet dhe fitohet, por edhe shijohet”. Orges Shehi me këto fjalë motivoi lojtarët e tij në pushim të pjesës së parë të derbit, që po e humbiste 0-1. Gjërat ndryshuan shumë në pjesën e dytë me hyrjen e Alvarez, që shënoi edhe një gol spektakolar: “Alvarez ka shumë kualitet, por ka pasur probleme fizike, menduam ta niste nga stoli, duke ditur që edhe kundërshtari shpenzon energji dhe të përfitonim nga cilësitë e tij”.
Duke shpjeguar mundësitë e shpenzuara nga të dyja skuadrat, Shehi pranon se intensiteti i lojës dhe objektivi që ishte vunë në sprovë lojtarët: “Nuk mbaj mend derbi me kaq shumë raste në tranzicion, njerëzit në stadium mund ta kenë shijuar – tha tekniku që pastaj shtoi -.
Që kur kam ardhur këtu, iu kam thënë lojtarëve që kanë shumë kualitet, ana psikologjike ka qenë një nga armët që kemi punuar më shumë. Mos harrojmë që presioni është i madh. Partizani e kishte ndeshje luksi për të kapur Europën, presioni poshtë është më i madh, nuk të le të shfaqësh atë që do. Do të shikojmë si do dalin kundërshtarët. Nuk ka pushim për ne deri sa të mbarojë kampionati”, deklaroi Shehi.
Kërnaja: Penalltia? Më ka ndodhur me të njëjtin arbitër që ishte në VAR
“Jam shumë i mërzitur, intepretuam shumë mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë gabuam 10 minuta, Tirana mori shumë përsipër. Mund të dërgonim shifrat në 2-0, Tirana më pas shënoi një gol, ishin aftësi personale, gola të bukur. Por duhet të punojmë për të ecur përpara”. Oltion Kërnaja pranon se Partizani i tij nuk luajti si duhet në pjesën e dytë, duke humbur derbin me Tiranën. Pas ndeshjes, tekniku në humbjen e parë në derbi që kur ka marrë drejtimin e të kuqve shprehu keqardhjen për zhgënjimin e tifozëve: “Më vjen keq sidomos për tifozët, s’duhet ta kishim këtë rezultat. Duke ditur zotësinë e lojtarëve tanë dhe shpejtësinë të Human dhe Sidibe, menduam që mbrojtësit e tyre të vinin sa më lart dhe të kishim hapësira për tranzicion. Për golin duhet cilësi, një pjesë e dytë jo aq e mirë sa duhet të ishte”.
E megjithatë, Kërnaja nuk harroi një moment të dyshimtë në zonën e Tiranës, që nuk u pa as në VAR: “Mos të harrojmë që kishim një rast për penallti, u prek me dorë, por s’dua të merrem. Më ka ndodhur përsëri me të njëjtin arbitër që ishte në VAR. Sigurisht që pozitat janë komplikuar, duke ditur që nuk është në dorën tonë. Të shohim të bëjmë punën tonë dhe të shohim si do të reagojmë”, tha Kërnaja.