Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të propozojë rikthimin e plotë të kontrollit ushtarak mbi Rripin e Gazës kur të takojë kabinetin e tij të sigurisë, raportojnë mediat izraelite.
“Nuk ka më kthim pas. Do të shkojmë për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, dhe për shkatërrimin e Hamasit,” citojnë gazetarët vendas një zyrtar të lartë të ketë thënë.
Duke iu përgjigjur raporteve se shefi i shtabit të ushtrisë dhe drejtues të tjerë ushtarakë kundërshtojnë planin, zyrtari i paidentifikuar tha: “Nëse kjo nuk i përshtatet shefit të shtabit, ai duhet të japë dorëheqjen.”
Familjet e pengjeve kanë frikë se plane të tilla mund të rrezikojnë të afërmit e tyre, me 20 nga 50 që besohet se janë ende gjallë në Gaza, ndërkohë që sondazhet sugjerojnë se tre nga katër izraelitë parapëlqejnë një marrëveshje armëpushimi për t’i kthyer ata.
Shumë nga aleatët e ngushtë të Izraelit gjithashtu do ta dënonin një veprim të tillë, pasi kërkojnë fundin e luftës dhe hapa për të lehtësuar krizën humanitare.
Brenda vetë Izraelit, qindra zyrtarë të sigurisë të dalë në pension, përfshirë ish-drejtues të agjencive të inteligjencës, nënshkruan një letër të përbashkët drejtuar Presidentit amerikan Donald Trump të hënën, duke i kërkuar të ushtrojë presion mbi Netanyahun për të ndalur luftën.
Njëri nga firmëtarët, ish-shefi i agjencisë së inteligjencës së brendshme Ami Ayalon, i tha BBC-së se veprime të mëtejshme ushtarake do të ishin të kota.
“Nga pikëpamja ushtarake, [Hamas] është shkatërruar totalisht. Por nga ana tjetër, si ideologji po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje mes popullit palestinez, në rrugët arabe përreth nesh, dhe gjithashtu në botën islame.
“Kështu që mënyra e vetme për të mundur ideologjinë e Hamasit është të ofrosh një të ardhme më të mirë.”
Zhvillimet më të fundit vijnë pasi bisedimet indirekte me Hamasin për një armëpushim dhe marrëveshje për pengjet kanë dështuar, dhe grupet e armatosura palestineze kanë publikuar tre video të dy pengjeve izraelite që duken të dobët dhe të rraskapitur.
Pamjet e Rom Blaslavski dhe Evyatar David, të rrëmbyer të dy nga festivali Nova më 7 tetor 2023, kanë tronditur dhe tmerruar izraelitët. David shihet duke gërmuar atë që ai thotë se është varri i tij në një tunel nëntokësor.
Ka pasur disa spekulime se njoftimet më të fundit në media janë një taktikë presioni për të detyruar Hamasin të pranojë një marrëveshje të re.
Ushtria izraelite thotë se tashmë ka kontroll operacional mbi 75% të Gazës. Por sipas planit të propozuar, ajo do të pushtonte të gjithë territorin, duke hyrë në zona ku janë të përqendruar mbi dy milionë palestinezë.
Nuk është e qartë se çfarë do të nënkuptonte kjo për civilët dhe për operacionet e OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare. Rreth 90% e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur, disa herë, dhe po jetojnë në kushte të mbipopulluara dhe të mjerueshme.
Grupet humanitare dhe zyrtarë të OKB-së thonë se shumë prej tyre po vuajnë nga uria, duke akuzuar Izraelin se po pengon shpërndarjen e ndihmave jetike.
Ushtria izraelite më parë është tërhequr nga disa zona, përfshirë pjesë të Gazës qendrore, për shkak të supozimit se aty mbahen pengje të gjalla. Vitin e kaluar, gjashtë pengje izraelitë u ekzekutuan nga rrëmbyesit e tyre pasi forcat tokësore izraelite ndërhynë.
Nuk ka pasur një përgjigje zyrtare, por zyrtarë të Autoritetit Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, e dënuan propozimin izraelit, duke u bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë për të parandaluar çdo pushtim të ri ushtarak.
Palestinezët theksojnë se ministrat e krahut të djathtë izraelit kanë bërë thirrje hapur për pushtimin dhe aneksimin e plotë të Gazës dhe në fund për ndërtimin e vendbanimeve të reja hebraike atje.
Në vitin 2005, Izraeli shpërbëu vendbanimet në Rripin e Gazës dhe tërhoqi forcat e tij nga territori.
Por, së bashku me Egjiptin, ai ruajti një kontroll të rreptë mbi hyrjen dhe daljen nga territori.
Ideja për një pushtim të ri vjen në një kohë kur po rriten përpjekjet ndërkombëtare për të ringjallur zgjidhjen me dy shtete, formulën afatgjatë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit dekadash mes Izraelit dhe Palestinës. Kjo zgjidhje parasheh krijimin e një shteti të pavarur palestinez pranë Izraelit, në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja iu bashkuan Francës duke shpallur plane të kushtëzuara për të njohur një shtet palestinez.
Kryeministri izraelit pritet tani të takohet me ministra kyç dhe drejtues ushtarakë për të vendosur hapat e mëtejshëm në Gaza. Radioja ushtarake izraelite thotë se ata pritet të diskutojnë planet fillestare të ushtrisë për të rrethuar kampet qendrore të refugjatëve dhe për të kryer sulme ajrore dhe operacione tokësore.
Netanyahu tha se do të mbledhë këtë javë një takim të plotë të kabinetit të sigurisë.
Komentuesit në mediat izraelite kanë shprehur skepticizëm dhe kanë vënë në dukje sfidat praktike ushtarake, politike dhe diplomatike. Duke shkruar në gazetën Yedioth Ahronoth, Nahum Barnea thotë: “Netanyahu nuk ka bërë kurrë një lojë fati të kësaj shkalle më parë.”
Ai thekson se kryeministri izraelit ka përsëritur zotimin e tij për të arritur të gjitha objektivat e luftës.
“Por pas 22 muajsh luftë të përgjakshme, është e vështirë të merret seriozisht një premtim i tillë. Duket se Netanyahu ka vetëm një objektiv në luftën në Gaza, ta zgjasë atë.”
Izraeli nisi ofensivën ushtarake në Gaza si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng në Gaza.
Të paktën 61.020 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza që nga ajo kohë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL