Juventus i ka sytë te golashënuesi më i mirë i Serie B. Nuk ka kaluar pa u vënë re prezenca e shpeshtë e skautëve bardhezinj në ndeshjet e Cesena në javët e fundit. Vëmendja është përqendruar te talenti i ri Kristian Shpendi. Sulmuesi i datëlindjes 2003, në sezonin e tij të parë në Serie B, po i magjeps të gjithë me performancat dhe me golat e tij. Deri tani ka shënuar 10 gola në 16 ndeshje, duke ndihmuar ekipin romanjol të ngjitet në vendin e katërt. Një arritje e jashtëzakonshme për një ekip të sapongjitur në këtë kategori.
Interesimi për Shpendin nuk mungon. Fiorentina, Napoli, disa klube angleze dhe sigurisht Juventus e kanë vënë në shënjestër talentin shqiptar. Të gjithë janë mahnitur nga aftësitë e sulmuesit, i cili sezonin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë në Lega Pro me 20 gola dhe 6 asistë, duke vulosur rikthimin e Cesena në Serie B.
Shpendi, Juve sposton konkurrencën
I lindur në Ankona nga prindër shqiptarë, Shpendi ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë, edhe pse në moshë të re ishte në radarët e përfaqësuesve italiane. Juventus synon të lëvizë shpejt për të mposhtur konkurrencën e fortë, por Shpendi ka nevojë të luajë për të përfunduar procesin e tij të rritjes. Vetë lojtari dëshiron të përfundojë sezonin te Cesena para se të bëjë “hapin e madh”.
Dëmtimi në kavilje, të shtunën kundër Cosenza, nuk duhet të jetë diçka serioze dhe Shpendi është gati të rikthehet në fushë. Ndërkohë, Cesena ka marrë masa për ta mbrojtur, duke i rinovuar kontratën deri në vitin 2028. Një lëvizje e zgjuar për të pasur një pozicion më të fortë në bisedimet me klubet e interesuara.
Kolo Muani mbetet në radarin bardhezi
Në lidhje me sulmuesit, Juventus monitoron gjithashtu edhe situatën e Kolo Muani, i cili dje u përjashtua nga PSG dhe mund të largohet në janar.