Vizita e Jorge Mendes në Casa Milan dje nuk ishte vetëm paraprake për zyrtarizimin e portugezit Diego Moreira, por mbi të gjitha solli lajme të rëndësishme për sa i përket sulmuesit Rafael Leao. Gerry Cardinale, në lidhje, konfirmoi vullnetin e klubit, sigurisht në marrëveshje me teknikun Ruben Amorim, për t’u ndarë nga numri 10 portugez.
Një zgjedhje e qartë dhe përfundimtare, e cila në këto dhjetë ditë të mbetura të merkatos mund të çojë edhe në vendime mjaft të bujshme, si për shembull përjashtimi nga ndeshja kundër Torinos. Një tjetër tregues se numri aktual 10 i kuqezinjve është jashtë projektit të Milanit dhe rrezikon t’i përjetojë këto ditë të fundit në Milano thuajse si një lojtar “i ndarë në shtëpi”.
Takimi gjashtëorësh i djeshëm konfirmoi gjithashtu se shitja e Leaos nuk duhet të jetë një shitje me çdo kusht. Çmimi ka zbritur nga kërkesa fillestare prej 60 milionë eurosh, por ende ka shifrën 5 përpara: 50 milionë euro është shifra e drejtë që Milani pret të marrë nga tani deri më 1 shtator. Shpresa është kryesisht te Turqia, ku pritet një ofertë e re nga Galatasaray, i cili deri tani ka mbërritur në 40 milionë euro plus bonuse, megjithëse Mendes po punon kryesisht në drejtim të Premier League dhe La Liga.