Doktor Niko Mihic, ish-përgjegjësi i shërbimeve mjekësore të Real Madrid për shtatë vite, ka shkaktuar bujë në Spanjë me disa deklarata në të cilat ka përmendur lojtarët e Barcelonës, duke hedhur dyshime të rënda mbi arsyet reale përse disa prej tyre (për më tepër emra të rëndësishëm si Raphinha dhe Yamal, e jo vetëm) mbajnë fasho në kyçet e duarve: “Një modë? Nuk besoj te modat kalimtare. Nëse do një qasje më të lehtë në venë, përdor kyçet e duarve…”
Doktor Mihic – i cili aktualisht është ende i lidhur me Real Madridin në cilësinë e konsulentit mjekësor, përveçse kryeson “Sports Doctors Network”, shoqërinë që ai vetë ka themeluar me misionin për të ofruar konsulencë për klubet e futbollit dhe lojtarët mbi praktikat më të mira dhe mbi të gjitha aspektet e kujdesit shëndetësor elitar – u pyet nga “Marca” për një temë shumë të nxehtë në këtë moment: fashot në kyçet e duarve të futbollistëve.
Aludimet e forta të Mihic
Pyetja e bërë nga gazeta spanjolle ndaj mjekut ishte e përgjithshme, duke nisur nga konstatimi se “po asistojmë në një prirje të re në futboll, të mbajturit e rripave apo fashove në kyçet e duarve”, dhe më pas i kërkohet Mihic nëse “ka diçka mjekësore në këtë”. Në këtë pikë, ishte doktori i lidhur me Realin që përmendi Barcelonën, edhe pse pa e përmendur drejtpërdrejt, por me një batutë që e bën tepër të lehtë identifikimin: “Mund të ndodhë që po projektojnë lojëra strategjike, duke luajtur shumë kalçeto dhe duke marrë një tendinit… ashtu siç mund të ndodhë që nuk e kanë korruptuar Negreirën”.
Ky i fundit është një referencë ndaj çështjes “Negreira”, që ka të bëjë me pagesa rreth 7.3 milionë euro të bëra nga Barcelona për José Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve spanjollë, ndërmjet viteve 2000 dhe 2018. Klubi pretendon se bëhej fjalë për konsulenca mbi raporte teknike për gjyqtarët, por akuza dyshon për një aktivitet korrupsioni për të ndikuar vendimet gjyqësore. Janë hetuar klubi, Negreira, djali i tij dhe ish-presidentët e Barcelonës si Bartomeu, Rosell dhe Laporta. Në vitin 2024 akuza për korrupsion ra, por hetimi për shkelje të mundshme financiare vazhdon.
Lexo më tej: Rüdiger sulmon arbitrin në Barcelona-Real Madrid: habit de Burgos, nuk e referon
Fakti është që kjo batutë lë të kuptohet se për Doktor Mihic, çështja e fashove ka të bëjë, të paktën nga këndvështrimi i tij, me lojtarët e Barcelonës: “Nuk e di çfarë po ndodh, por ajo që dua të them është se çdo mjek e di që, nëse dëshiron një qasje më të lehtë në venë, duhet ta kërkosh atë në duar dhe kyçe”, vazhdon mjeku në një mënyrë që mund të lërë të kuptohet vetëm një gjë. Pra, që ato fasho mund të fshehin diçka që nuk është saktësisht në përputhje me sportin dhe rregullat e tij, praktika që mund të zbatohen pikërisht përmes “qasjes venoze”.
Doktor Mihic: “Cili është sekreti? Nuk është për të luajtur kalçeto, apo jo?”
Intervistuesi i kundërpërgjigjet se “është një deklaratë e fortë…”, dhe Mihic vazhdon me dyshimet e tij: “Është një deklaratë e fortë, por nuk e kuptoj pse e bëjnë dhe pse e mohojnë. Le të thonë ‘jo’, por më trego çfarë po bën. Cili është sekreti? Nuk është për të luajtur kalçeto, apo jo?”.
Kur i vihet në dukje se “nuk e kemi parë vetëm te Barcelona, ka shumë lojtarë të ekipeve të tjera” dhe se ndoshta “mund të jetë një modë”, konsulenti aktual i Realit ngul këmbë, për të kjo e fundit është një marrëzi: “Nuk besoj te modat. Besoj se një lojtar nuk vesh një pajisje që tregon një dëmtim, përveçse nëse është për ta trajtuar atë, jo sepse është më bukur”.
Këtë sezon nuk ka kaluar pa u vënë re imazhi i disa lojtarëve të Barcelonës me një fashë në kyçin dhe dorën e tyre. Ka raste më të thjeshta, si ajo që Robert Lewandowski mban zakonisht në dorën e majtë ose ajo që Frenkie de Jong e mban herë pas here, ose më të dukshme, si ato të Gavit, Lamine Yamalit dhe Raphinhas. Sipas interpretimit të zakonshëm, të paktën para se doktori Mihic të hidhte këto dyshime, këto fasho janë një supersticion, shumica e të cilave janë rezultat i një dëmtimi të mëparshëm. Futbollistët, në praktikë, vazhdojnë t’i mbajnë për siguri, zakon apo pikërisht për supersticion, edhe pasi janë shëruar.
Sipas të tjerëve, bëhet fjalë për “thjesht supersticion”
“Është thjesht supersticion – ka shpjeguar doktor Antoni Mora, traumatolog dhe specialist në mjekësinë sportive – Dita e parë kur luan me një fashë në dorë ndoshta lidhet me një dëmtim. Më pas bëhet zakon dhe, nëse luan mirë duke e mbajtur, e mban. Lojtarët mësohen me të. Është bërë një modë dhe është një çështje estetike. Njëri e mban, dhe tjetri e kopjon. Nuk u ndodh gjë artikulacioneve të tyre. Janë si tatuazhet. Më parë askush nuk bënte tatuazhe, tani ndajnë momente dhe bëjnë edhe tatuazhe së bashku. Janë zakone të fituara dhe thjesht një modë. Të bën të ndihesh mirë dhe e mban për supersticion.” Por duket se jo të gjithë mendojnë si ai.