Dy pikë në 4 ndeshje, Garcia orët e numëruara: Flamurtari hedh sytë nga Orges Shehi

Flamurtari rrëzohet edhe përballë Vorës, duke ndarë tashmë vendin e fundit me Tiranën, pas katër javëve të para të Superiores. Asnjë fitore e vlonjatëve, që janë skuadra më e investuar në këtë start kampionati. Në Vlorë nuk është se janë shtrënguar me shpenzimet dhe kanë bërë 14 përforcime, 13 nga të cilët të huaj ku spikatnin Jose Rodriguez, me një të kaluar te Real Madrid dhe Alessandro Bolzan në huazim nga Cagliari. Në të gjithë këtë investim tekniku Carlos Garcia në katër ndeshje, tre i ka patur me skuadra jo pretendente. Dy pikët rrinë ngushtë e tani Flamurtari ka kthyer sytë te Orges Shehi, si njeriun që mund të ndryshojë fatet e një sezoni të nisur shumë keq.

Garcia nuk ka më asnjë dashamirës në ambjentet e klubit Flamurtari, sepse përvec rezultateve negative, ka edhe një justifikim mosrespektues për gjërat që nuk shkojnë, ashtu sikurse e konsideroi “lojë të mirë”, ndeshjen e humbur me Vorën. Në Vlorë janë të bezdisur nga kjo gjë, duke shtuar kështu edhe pagesën e lartë që tekniku spanjoll merr çdo muaj. E kështu, Orges Shehi kthehet prioritet, një trajner që ka treguar se di të fitojë dhe të cilin Flamurtari e kërkoi në fillim të sezonit, kur kërkonte të bënte dyshen Osmani-Shehi te kuqezinjtë.

 

Çështja nuk është e thjeshtë se ish-tekniku i Tiranës e Partizanit ka një kontratë me Ballkanin që zgjat deri në maj 2026. Natyrisht, që nëse Idrizi vendos të bëjë lëvizjen, nuk do të frikësohet nga 7 mijë eurot në muaj që tekniku durrsak merr në Kosovë. Sondazhet janë bërë, tani pritet të nisin edhe kontaktet, sepse koha shtrëngon e Flamurtari nuk dëshiron të kthehet andej nga erdhi.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top