Dy gola të anuluar, pastaj tris shkodran: Vllaznia mbyt Bylis, Dede jep dorëheqjen

Vllaznia ka siguruar një fitore të pastër 3-0 kundër Bylisit në stadiumin “Loro Boriçi”, duke konfirmuar ambiciet e saj për të qëndruar në zonën e “Final Four” dhe për të vijuar garën për titull. Në një ndeshje ku nuk munguan episodet e diskutueshme, shkodranët shënuan tre herë në pjesën e dytë, duke e bërë të qartë superioritetin e tyre në fushë. Dede dorëzohet e jep dorëheqjen nga pankina mallakastriote.

Pjesa e parë e tensionuar, dy gola të anuluar
Takimi nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, të cilat krijuan raste të rrezikshme që në minutat e para. Vllaznia u përpoq të dominonte me organizim më të mirë në mesfushë, ndërsa Bylisi kërkoi të kundërsulmonte shpejt.

Lexo më tej: Dy gola në shtesë, dramë në Elbasan: Egnatia triumfon e forcon kreun e Superiores

Përgjatë pjesës së parë, gjyqtari Enea Jorgji anuloi nga një gol për secilën skuadër, pas konsultimit me VAR-in. Skuadrat u futën në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0, ndërsa në pjesën e dytë, Vllaznia ndryshoi plotësisht fytyrë.

Shkodranët shpërthejnë në fraksionin e dytë
Me rikthimin në fushë, Vllaznia rriti intensitetin dhe kërkoi me ngulm avantazhin. Presioni i vazhdueshëm i vendasve dha efekt në minutën e 52-të, kur mbrojtësi i Bylisit, Kamara, devijoi gabimisht një top në rrjetën e tij, duke i dhuruar shkodranëve golin e parë.

Ky gol i dha më shumë qetësi skuadrës së Qatip Osmanit, e cila nisi të kontrollonte lojën më mirë. Në minutën e 64-të, mbrojtësi Stojanovic u ngjit në zonë pas një goditjeje këndi dhe me një goditje të saktë dyfishoi avantazhin, duke e bërë edhe më të lehtë detyrën për skuadrën e tij.

Në minutën e 87-të, mesfushori Kahrimanovic vulosi fitoren me një goditje të saktë, duke e çuar rezultatin në 3-0 dhe duke mbyllur llogaritë për këtë ndeshje.

Vllaznia mban vendin e dytë, Bylis rrezikon mbijetesën
Me këtë sukses, Vllaznia ngjitet në kuotën e 43 pikëve, duke parakaluar Partizanin dhe duke marrë vendin e dytë në klasifikim. Nga ana tjetër, Bylisi mbetet në vendin e 7-të me 24 pikë, vetëm një pikë larg Tiranës që mban vendin e 8-të, duke u futur në një situatë të rrezikshme për mbijetesën.

Fitorja ndaj Bylisit konfirmon formën e mirë të Vllaznisë, e cila tashmë është një nga kandidatët kryesorë për të siguruar një vend në “Final Four” dhe për të luftuar deri në fund për trofeun e kampionatit.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top