Dhjetëra qytetarë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Barcelonës, pasi nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt Tiranës me kompaninë ajrore Wizz Air.
Problemet kanë nisur që prej ditës së djeshme, kur fluturimi i planifikuar për në kryeqytetin shqiptar u shty fillimisht dhe më pas u anulua.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, nisja ishte parashikuar të kryhej gjatë ditës së djeshme, por kompania e shtyu fluturimin për në orën 03:00 të mëngjesit. Më vonë, udhëtarët u njoftuan se fluturimi nuk do të realizohej.
Pas anulimit, atyre iu dhanë bileta për një tjetër udhëtim, të planifikuar për mesditën e sotme. Por edhe kjo zgjidhje rezultoi problematike.
Pasagjerët tregojnë se kishin kryer procedurat në aeroport dhe kishin arritur deri te porta e imbarkimit, kur u komunikua se biletat që dispononin nuk ishin të vlefshme. Si pasojë, ata nuk u lejuan të hipnin në avion dhe mbetën sërish në aeroport.
Pasagjerët kërkojnë ndihmë, por nuk marrin përgjigje
Qytetarët pretendojnë se, pavarësisht përpjekjeve për të kontaktuar kompaninë ajrore, nuk kanë marrë një përgjigje konkrete se kur do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Sipas tyre, përfaqësuesit e Wizz Air në aeroportin e Barcelonës u kanë kërkuar të kontaktojnë qendrën telefonike të kompanisë, por edhe kjo rrugë nuk ka dhënë rezultat, pasi telefonatat drejtohen përmes një sistemi automatik.
Shqetësimi është shtuar edhe nga mungesa e komunikimit me institucionet shqiptare. Një prej pasagjerëve i ka deklaruar Vox News se kanë tentuar të kontaktojnë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ambasadën Shqiptare në Spanjë, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Kemi dy ditë që rrimë në aeroport dhe sot, që marrim në telefon Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën Shqiptare në Spanjë, askush nuk përgjigjet”, është shprehur një prej udhëtarëve.
Ndërkohë, pasagjerët vijojnë të presin një zgjidhje për kthimin në Tiranë, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të realizohet fluturimi i tyre.